Flakët përhapen në Pukë, dy helikopterë në aksion për shuarjen e zjarreve në Gjegjan dhe Gojan (VIDEO)
Zjarret në pyjet e Malit të Tërbunit, Gojanit dhe Gjegjanit në Bashkinë Pukë vijojnë të jenë nën monitorim, ndërsa ekipet në terren po punojnë për vënien nën kontroll të vatrave aktive.
Sipas Prefekturës së Qarkut Shkodër, situata në malin e Tërbunit paraqitet më e qetë, ndërsa në zonën Gjegjan–Gojan vijon të jetë më dinamike për shkak të përhapjes së flakëve, të favorizuar nga temperaturat e larta dhe era.
Për përballimin e situatës janë angazhuar edhe dy helikopterë, të cilët po operojnë në zonat ku terreni i vështirë e bën më të vështirë ndërhyrjen e forcave nga toka.
Në terren ndodhen efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në përpjekjet për shuarjen e zjarreve janë përfshirë edhe banorë dhe vullnetarë të zonës.
Prefektura bën me dije se situata vijon të monitorohet dhe ndërhyrjet po kryhen në mënyrë të koordinuar, me qëllim kufizimin e përhapjes së zjarrit dhe normalizimin e situatës.