E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Sherr mes të miturve në Kombinat, policia ndërhyn në kohë, 28 të proceduar

Sherr mes të miturve në Kombinat, policia ndërhyn në kohë, 28 të proceduar

Një sherr i mundshëm mes disa të miturve është parandaluar këtë të mërkurë nga blutë e Tiranës.

28 të mitur, të moshave 13 deri në 17 vjeç, janë proceduar në gjendje të lirë, pasi gjatë kontrollit iu gjetën thika, kaçavida dhe maska.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së informacionit në rrugë operative se disa grupe të miturish do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin, në Kombinat, kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit.

Në bazë të informacionit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Llambi Bonata”, disa të mitur të ndarë në grupe, të cilët dyshohet se do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe i kanë shoqëruar të miturit, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.

Gjatë kontrollit fizik, disa prej tyre iu gjetën armë të ftohta (thika), kaçavida, si dhe disa maska, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Veprimet procedurale me të miturit u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve dhe pas komunikimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 shtetas të mitur, të moshave 13-17 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme.

Lini një koment