Harta e zjarreve në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: Ende 5 vatra aktive, 130 forca në terren për shuarjen e flakëve, s’k
Ministria e Mbrojtjes përditësoi hartën e vatrave të zjarrit deri në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme, duke njoftuar se 5 vatra vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit, ndërsa dy të tjera janë vendosur nën monitorim.
Në terren janë angazhuar rreth 130 forca operacionale vendore, ndërsa Forcat e Armatosura po mbështesin operacionet me 90 efektivë dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat aktive raportohen në Dajt dhe Priskë në Tiranë, Lufaj në Mirditë, Tërbun-Gojan në Pukë dhe Shashicë në Selenicë.
Në Dajt operacioni po vijon me 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 forca të MZSH-së dhe 5 të AZM-së. Në Priskë vijojnë të jenë të angazhuara strukturat e MZSH-së. Sipas autoriteteve, në të dyja zonat nuk paraqitet rrezik për banesat.
Në Lufaj, zjarri vijon me intensitet të ulët. Në operacion janë angazhuar Shërbimi Pyjor dhe MZSH-ja, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Situata më e ndjeshme paraqitet në Tërbun-Gojan, ku erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e flakëve. Forcat operacionale vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa MZSH-ja është përqendruar veçanërisht në mbrojtjen e banesave. Edhe në këtë zonë, deri në orën 20:00, nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për zonat e banuara.
Ndërkohë, në Gurë-Lurë zjarri është shuar dhe zona vijon të monitorohet. Në Qafë Helmes, vatra është izoluar, ndërsa forcat lokale vijojnë punën për stabilizimin e plotë të situatës.
Strukturat e Mbrojtjes Civile dhe ekipet operacionale po vijojnë ndërhyrjet në të gjitha zonat e prekura, me fokus mbrojtjen e banorëve dhe banesave, si dhe izolimin e plotë të vatrave aktive.