Dhunuan shefin e Krimeve në Sarandë, Gjykata lë në qeli 6 truprojat e arrestuar të lokalit!
Gjykata e Sarandës ka caktuar sot (19 gusht) masën e sigurisë “arrest me burg” për gjashtë badigardët e përfshirë në konfliktin e ndodhur pak ditë më parë në Sarandë.

Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit të 16 gushtit, kur shefi i Hetimit të Krimit në Komisariatin e Sarandës, Mateo Bakalli, u përfshi në një konflikt dhe u dhunua fizikisht.
Mes të akuzuarve janë edhe efektivë që punonin për lokalin e natës “Orange Club” ku ndodhi incidenti.

Gjykata vendosi arrest me burg për 4 bodigardët e po ashtu burg edhe për dy të tjerët. Mes tyre Ardit Kasemi, 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr.
Në pranga u vunë Marjo Katiraj, 35 vjeç; Elgent Ndoj, 38 vjeç; Faik Hoxha, 35 vjeç; Indrit Cullhaj, 34 vjeç; Ardit Kasemi, 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr; dhe Besnik Sullollari, 29 vjeç.
Ndërkohë, në kërkim është shpallur 28-vjeçari Pjetër Doçi.
Shkëlzen Licaj ka qenë gjyqtari i gatshëm që ka mbajtur masën e sigurisë, ndërsa prokuroria e përfaqësuar nga prokurore Hava Memko, ka kërkuar qëndrimin në burg për të ndaluarit.

Bakalli (në reth) kishte ndërhyrë për të parandaluar konfliktin mes dy rojeve të lokalit dhe disa shtetasve. Edhe pas ndërhyrjes së tij personat e pranishëm nuk e kanë ndaluar përplasjen fizike, madje kanë sulmuar edhe shefin Bakalli gjatë përplasjes, i cili ka njoftuar shërbimet e policisë për ndihmë.