Debate dhe përplasje fizike në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Maliqit për reformën territoriale, mazhoranca braktis sallën
Debate dhe tensione kanë shoqëruar mbledhjen e ditës së sotme në Këshillin Bashkiak të Maliqit, ku në rendin e ditës ishte parashikuar marrja e një vendimi mbi draftligjin e qeverisë për shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Korçën.
Këshilltarët e opozitës kanë kërkuar me ngulm që të votohej menjëherë kundër këtij drafti. Nga ana tjetër, këshilltarët e shumicës socialiste janë shprehur se janë ende të paqartë me përmbajtjen e draftligjit dhe kanë kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me dokumentin.
Për shkak të mosmarrëveshjeve, këshilltarët socialistë kanë vendosur të braktisin sallën e mbledhjeve. Kjo lëvizje ka nxitur reagimin e opozitës, e cila ka këmbëngulur në vijimin e procesit.
Situata është tensionuar më tej kur një qytetar i moshuar në mbledhje ka kërkuar po ashtu vazhdimin e punimeve, duke shtyrë fizikisht me shkop kryetarin e Këshillit Bashkiak.