Ford House në Grosse Pointe Shores prezanton aktivitetet pranverë-verë 2026
Ditë falas për komunitetin më 11 prill, koncerte verore dhe konkurs artistik për nxënësit e shkollave të mesme
GROSSE POINTE SHORES, MI — Ford House ka shpallur një seri aktivitetesh për pranverën dhe verën 2026, duke përfshirë evente falas për komunitetin, koncerte në natyrë dhe një konkurs artistik për të rinjtë.
Më 11 prill, Ford House do të organizojë “Community Appreciation Day”, një aktivitet i përvitshëm që i hap dyert e këtij monumenti historik kombëtar për publikun pa pagesë. Vizitorët do të kenë mundësinë të eksplorojnë ambientet e njohura të rezidencës, ndërsa do të shohin nga afër edhe punimet që po zhvillohen përgjatë vijës bregdetare të Lake St. Clair.
Ky projekt restaurimi mjedisor, i njohur si “Lower Lake St. Clair Habitat Restoration Project”, realizohet në bashkëpunim me National Oceanic and Atmospheric Administration (NOAA) dhe financohet përmes ligjit federal për infrastrukturën.
“Për shumë njerëz, kjo është hera e parë që hyjnë në këtë pronë historike, dhe pikërisht për këtë arsye ky aktivitet është kaq i rëndësishëm,” tha Mark J. Heppner, president dhe CEO i Ford House. Ai theksoi trashëgiminë e Eleanor Ford dhe Edsel Ford, duke e cilësuar këtë vend si një pasuri të jashtëzakonshme për komunitetin.
Ndërkohë, Ford House ka shpallur edhe programin e koncerteve verore në natyrë për vitin 2026. Seria nis më 10 korrik me grupin “Saved by the 90s”, vijon më 14 gusht me Michigan Philharmonic dhe përmbyllet më 18 shtator me “Dave Hamilton Band”. Të gjitha koncertet do të zhvillohen në ambientet e jashtme të rezidencës kryesore dhe do të fillojnë në orën 19:00.
Biletat do të dalin në shitje më 2 qershor për anëtarët “Friends of Ford House” dhe më 5 qershor për publikun e gjerë. Çmimet variojnë nga 22 deri në 50 dollarë, në varësi të vendit dhe statusit të blerësit.
Një risi për këtë vit është edhe konkursi për posterin zyrtar të serisë së koncerteve, i hapur për nxënësit e klasave 9–12 në qarqet Macomb, Oakland dhe Wayne. Dizajni fitues do të përdoret në materialet promovuese të verës dhe autori do të shpërblehet me bileta falas për të tre koncertet.
Afati i fundit për dorëzimin e punimeve është 30 prill, ndërsa detajet e plota për eventet dhe biletat janë të disponueshme në faqen zyrtare të Ford House.
Organizatorët theksojnë se këto aktivitete synojnë të forcojnë lidhjen e komunitetit me këtë hapësirë historike dhe të promovojnë artin, kulturën dhe pjesëmarrjen qytetare në një nga vendet më ikonike të zonës së Detroitit.