Evakuohen disa familje nga zjarret në Mirditë, flakët rrezikuan 3 fshatra
Mirdita u përball këtë të premte me një situatë të vështirë nga zjarret, të cilat u shfaqën rreth mesditës dhe u përhapën me shpejtësi në një perimetër të gjerë. Flakët rrezikuan fshatrat Tenë, Kodër Rrëshen dhe Malaj, duke detyruar autoritetet të evakuojnë disa familje nga zonat e rrezikuara.
Për shuarjen e zjarreve u angazhuan forcat zjarrfikëse, ushtria dhe struktura të tjera operacionale, ndërsa për shkak të terrenit të vështirë, ndërhyrja u krye edhe nga ajri me dy helikopterë.
Pas disa orësh pune intensive, situata u vu nën kontroll, ndërsa banesat u mbrojtën nga flakët. Megjithatë, zjarri nuk është shuar plotësisht dhe disa vatra vijojnë të jenë aktive, duke bërë që forcat në terren të qëndrojnë në gatishmëri.
Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, dhe kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, janë shprehur se dyshohet që zjarret të jenë të qëllimshme.
Për të parë nga afër operacionin e ndërhyrjes në Mirditë, në zonat e prekura ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi. Ai deklaroi se, falë angazhimit të strukturave vendore dhe qendrore, është bërë e mundur mbrojtja e banesave dhe shmangia e një situate edhe më të rëndë.
“Në fshatin Tenë në Mirditë kishte një situatë shumë të vështirë para 2 orësh, konkretisht, me shpërthimin e një vatre zjarri që ishte shumë agresive. Menjëherë kanë ardhur forcat nga bashkia, nga zjarrfikësit vendorë dhe është kërkuar edhe ndërhyrja nga ajri. Kemi bërë të mundur që 2 helikopterë nga Forca Ajrore të vinin për të ndërhyrë, pasi, për shkak të terrenit të thyer, ndërhyrja nga toka ishte shumë e vështirë. Siç edhe ju e shikoni, duket që situata është nën kontroll. Është situatë e vështirë. Na vjen keq që përballemi me këtë situatë, pasi në Mirditë dëgjojmë që përhapen çdo ditë nga 2-3 vatra zjarri. Është jashtë logjikës njerëzore, por kjo është punë e Policisë pastaj që të identifikojë shkaqet e këtyre zjarreve”, tha ministri Nufi.
Zjarri ka përshkuar një sipërfaqe të konsiderueshme me pyje, duke shkaktuar dëme të mëdha në masivet pyjore. Ndërkohë, situata vijon të mbahet nën monitorim të vazhdueshëm dhe operacioni do të vijojë deri në shuarjen e plotë të të gjitha vatrave të zjarrit.