Vendimi i gjykatës britanike mund të pengojë deportimin e viktimave shqiptare të trafikimit
Një vendim i fundit i drejtësisë britanike mund të ndikojë në procedurat e deportimit drejt Shqipërisë të të rinjve shqiptarë të identifikuar si viktima të trafikimit. Gjykata ka vlerësuar se viktimat meshkuj mund të përballen me rrezik edhe disa vite pas shfrytëzimit, ndërsa ka nxjerrë udhëzime të reja për autoritetet britanike.
Vendimi i fundit i një gjykate britanike të emigracionit mund të pengojë deportimin drejt Shqipërisë të një numri të konsiderueshëm të rinjsh shqiptarë që janë identifikuar si viktima të trafikimit.
Çështja lidhet me rastin e një 21-vjeçari shqiptar, i cili fillimisht ishte trafikuar nga një grup kriminal në Belgjikë dhe më pas ishte dërguar në Britani, ku ishte detyruar të punonte në kultivimin e kanabisit.
Megjithëse autoritetet e kishin njohur si viktimë trafikimi, atij iu refuzua kërkesa për azil, me argumentin se mund të kthehej në mënyrë të sigurt në Shqipëri.
Rasti u shqyrtua nga tre gjyqtarë të lartë të gjykatës së emigracionit, të cilët arritën në përfundimin se 21-vjeçari vijonte të përballej me një rrezik real nga trafikantët edhe pesë vite pas periudhës së shfrytëzimit.
Në vendimin e tyre, gjyqtarët nxorën gjithashtu udhëzime të reja që autoritetet britanike duhet t’i marrin në konsideratë përpara se të marrin vendim për deportimin e viktimave meshkuj të trafikimit drejt Shqipërisë.
Një nga argumentet e paraqitura lidhet me mungesën e strukturave të posaçme në Shqipëri për trajtimin dhe mbështetjen e kësaj kategorie viktimash.
Sipas të dhënave të paraqitura gjatë procesit gjyqësor, djemtë dhe burrat e rinj shqiptarë përbëjnë tashmë grupin më të madh të viktimave të trafikimit në Britani.
Vendimi mund të ketë ndikim në mënyrën se si autoritetet britanike vlerësojnë rastet e viktimave shqiptare të trafikimit përpara se të procedojnë me kthimin e tyre në Shqipëri.