“Diploma nuk garanton më status, tregu po kërkon kompetenca”
Flet Prof. Dr. Adrian Civici
Ndërsa universitetet shqiptare kanë rifunksionalizuar vitet e fundit ciklet doktorale me standarde më të forta, lidhja mes kërkimit shkencor dhe nevojave konkrete të tregut mbetet ende e brishtë.
Për Prof. Dr. Adrian Civici, problemi nuk është numri i doktoraturave, por cilësia dhe aftësia e tyre për t’u kthyer në kapital real zhvillimi për vendin.
Sipas tij, “mentaliteti” që e sheh doktoraturën si luks akademik ka të bëjë me mungesën e bashkëpunimit universitet – biznes dhe sektorët e rinj që mund të krijojnë një treg më të mirëpaguar për kapitalin njerëzor të kualifikuar.
Shqipëria po prodhon më shumë doktoratura sesa treg që mund t’i absorbojë ato. A kemi krijuar një “inflacion diplomash”?
Në lidhje me doktoraturat nuk mendoj se kemi krijuar një inflacion diplomash, qoftë edhe për faktin se për një kohë të gjatë, procesi i doktoraturave ka qenë i mbyllur. Ka vetëm disa vite që është bërë funksional me rregulla e rregullore më strikte për të gjithë procesin.
Nuk mendoj, se kur është fjala për doktoraturat, ato duhet të shihen thjesht si çështje numrash ose sasi. Thelbi i problemit është cilësia dhe kontributi i tyre real në problematikën e zhvillimit ekonomiko-social të vendit.
Sa e lidhur është sot doktoratura në Shqipëri me nevojat reale të tregut dhe sa mbetet ende një titull formal akademik?
Ky është problemi më thelbësor kur flitet për doktoraturat; lidhja e tyre me nevojat reale të tregut të punës dhe të nevojave për zgjidhje shkencore sa më cilësore.
Faktikisht ka një ndërgjegjësim më të madh të universiteteve për ta respektuar sa më cilësisht një sfidë të tillë.
Po synohet që kërkimet doktorale të integrohen sa më mirë në projekte e akse kërkimore eficiente në funksion të nevojave reale të ekonomisë dhe kërkimit shkencor.
Të mos jenë thjesht dhe vetëm kërkime individuale apo kërkime për të marrë një gradë shkencore rutinë. Por, duhet ta pranojmë se kjo është ende një rrugë e gjatë që kërkon progres të vazhdueshëm dhe mbi të gjitha, koncepte të qarta metodologjike e ndërveprim me strategjitë kombëtare të zhvillimit ekonomiko-social të vendit.
Mbi të gjitha, kërkohet dhe bashkëveprim e koordinim më i mirë me universitetet apo qendrat kërkimore europiane e ndërkombëtare për të shkuar natyrshëm drejt kërkimeve doktorale ndërdisiplinore e bashkëkohore.
Pse sektori privat shqiptar rrallë e përkthen një PhD në një pagë më të lartë apo rol më të avancuar?
Edhe sektori publik dhe ai privat e nxisin shumë pak ose aspak vlerësimin e doktoraturave. Ekziston një mentalitet i gabuar që doktoratura është më shumë një “luks shkencor” personal pa efekte të dukshme në cilësinë e kapitalit njerëzor.
Ky mentalitet është shumë i përhapur, sidomos në sektorin privat që më shumë priret ndaj kompetencave që zotërojnë punonjësit se sa nga gradat apo titujt akademikë.
Në një ekonomi si Shqipëria, a është doktoratura investim racional financiar, apo më shumë bast personal dhe akademik?
Besoj se mbizotërojnë më shumë rastet kur doktoratura shihet si bast personal e akademik. Këtë e provon dhe fakti se pothuajse 100% e doktorantëve janë pjesë e mjediseve universitare e akademike. Pra, një element i rëndësishëm i karrierës dhe detyrimeve akademike.
Çfarë i mungon sot lidhjes universitet – biznes në Shqipëri që kërkimi shkencor të kthehet në vlerë ekonomike reale?
Kjo është një lidhje shumë e gjerë dhe strukturore. Problemi kryesor qëndron në dobësitë që ne kemi aktualisht në bashkëpunimin dhe bashkëveprimin ndërmjet universiteteve dhe biznesit.
E thënë ndryshe, kërkimet doktorale nuk janë të integruara apo pjesë e sfidave të biznesit, tregut apo qeverisjes, qoftë kjo qendrore apo lokale.
A mendoni se Shqipëria ka hyrë në një fazë ku diploma nuk garanton më automatikisht status ekonomik apo social?
Po. Tashmë kemi hyrë plotësisht në këtë fazë. Ky është një trend i përgjithshëm në shumë vende të botës, sidomos ato të zhvilluara.
Diploma universitare apo doktorale tregon shumë për cilësinë e burimeve njerëzore, por nuk po konsiderohen më si merita e vetme apo kryesore për statusin ekonomik apo shoqëror. Në plan të parë kanë dalë zotërimi i kompetencave specifike sipas kërkesave të sektorëve, bizneseve apo vetë tregut të punës.
A mund të krijojnë sektorë si Inteligjenca Artificiale, energjia e pastër apo agro-tech një treg të ri që paguan më mirë kapitalin njerëzor të kualifikuar?
Pa tjetër. Këta sektorë janë aktualisht në një trend zgjerimi të shpejtë. Në njëfarë mënyre, janë sfidat kryesore të zhvillimit në dekadën e ardhshme. Janë sektorët ku po investohet më shumë kapital e burime njerëzore të kualifikuara me kërkesat e kohës.
Statistikat tregojnë, se aktualisht, këta janë dhe sektorët ku kapitali njerëzor i kualifikuar paguhet më mirë, vlerësohet më shumë dhe ku konkurrenca është më e madhe. Kjo situatë është e dukshme dhe në Shqipëri.
Ju keni folur shpesh për nevojën e transformimit të modelit ekonomik shqiptar. A mund të ndërtohet një ekonomi inovacioni pa investim serioz në kërkim dhe doktoratura cilësore?
Sfida më e madhe e modelit ekonomik shqiptar është zhvillimi i sektorëve me vlerë të shtuar të lartë, është zhvillimi i degëve e sektorëve që sigurojnë atë që quhet Rritje Ekonomike Cilësore, atë që quhet Punësim cilësor me standarde të larta që paguhet më mirë, por dhe kontribuon më shumë.
Pa dyshim, që në këtë këndvështrim, vëmendja dhe shtimi i financimeve drejt inovacionit, teknologjive të reja, Inteligjencës Artificiale, Big data, energjive të rinovueshme, teknologjisë blockchain, smart city, etj., përbën thelbin e zhvillimit sot dhe në të ardhmen e afërt.
A po e përdorin universitetet doktoraturën edhe si burim të ardhurash, në një kohë kur infrastruktura kërkimore mbetet e dobët?
Nuk besoj se universitetet po e përdorin doktoraturën si burim të ardhurash. E tillë do të ishte nëse doktoraturat do të orientohen shumë më mirë se deri më sot, drejt kërkimeve aplikative në funksion të kërkesave të biznesit, drejt krijimit të patentave, apo elemente të tjera të kësaj natyre, të cilat mund të ofrohen në treg dhe të garantojnë të ardhura nga këto lloj doktoraturash.
Deri tani, nuk mund të pohohet që kjo gjë po ndodh, qoftë edhe për shkak të infrastrukturës së dobët kërkimore.
LEXONI EDHE: