Friday, 21 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaE fundit: 8 vatra zjarri mbeten aktive, shpëtohen disa banesa në Pukë e Mirditë, ndërhyrje nga ajri në Dukat!

E fundit: 8 vatra zjarri mbeten aktive, shpëtohen disa banesa në Pukë e Mirditë, ndërhyrje nga ajri në Dukat!

Situata e krijuar nga vatra të shumta zjarri në territorin e vendit vijon të kërkojë angazhimin maksimal të strukturave të emergjencës. Sipas përditësimit zyrtar të dhënë nga Ministria e Mbrojtjes në orën 21:00, në shkallë vendi janë regjistruar gjithsej 26 vatra, nga të cilat 8 mbeten ende aktive, 4 janë vendosur nën mbikëqyrje dhe 1 është nën kontroll të plotë.

Për zbutjen e pasojave dhe mbrojtjen e popullsisë, në operacione janë angazhuar 270 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 automjete zjarrfikëse, si dhe një flotë ajrore e përbërë nga 4 helikopterë dhe 2 avionë të specializuar ‘Air Tractor’.

Zhvillimet në vatrat kryesore të vendit

Operacionet po vazhdojnë në disa bashki ku terreni dhe kushtet atmosferike paraqesin vështirësi shtesë:

Gojan–Gjegjan (Pukë): Në këtë zonë me terren të thyer po operojnë 6 mjete zjarrfikëse me 29 efektivë, 10 punonjës të pyjores, 50 forca bashkiake, 50 vullnetarë dhe 40 ushtarakë, të mbështetur nga 2 helikopterë. Ndërhyrja e koordinuar bëri të mundur shpëtimin e 2 banesave të banuara dhe evakuimin e disa banorëve në zonat më të rrezikuara.

Shtanë (Mirditë): Vijon mbrojtja e perimetrit të banuar me 40 forca bashkiake, 30 ushtarakë, 2 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë. Policia e Shtetit ka përfunduar evakuimin e banorëve të kërcënuar, ndërsa një ekip mjekësor me ambulancë ndodhet në vendngjarje.

Dukat (Vlorë): Janë përforcuar trupat në terren me 100 efektivë të ushtrisë, 9 zjarrfikës, 8 punonjës të shërbimit pyjor dhe 12 forca të njësisë administrative. Ndërhyrja ajrore po kryhet me 2 avionë ‘Air Tractor’. Edhe pse zjarri po ngjitet shpatit të malit, nuk raportohet rrezik për shtëpitë.

Dajt (Tiranë) & Bërshi (Klos): Në Dajt po operojnë 30 ushtarakë, 13 zjarrfikës, 9 forca të AZM-së dhe 1 helikopter, ku një pjesë e vatrave është izoluar plotësisht. Në Bërshi po punojnë 5 zjarrfikës, 10 forca lokale dhe 30 ushtarakë, po ashtu pa rrezik për banesat.

Përmirësimi i situatës në disa rajone

Njoftimi zyrtar nëvizon se ndërhyrjet e orëve të fundit kanë sjellë rezultate pozitive në disa pika kritike. Vatra e Farkës është vënë tërësisht nën kontroll, ndërsa zjarri në Mal Milot është shuar plotësisht.

Zonat si Lufaj, Kalivaç dhe Mali i Çikës vazhdojnë të mbahen nën mbikëqyrje të rreptë për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) bëri me dije se strukturat operacionale do të mbeten në gatishmëri përgjatë gjithë natës për garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Lini një koment