Vatër e madhe zjarri në Cërrik, operacion nga toka për shuarjen e flakëve, s’ka rrezik për zonat e banuara!
Një vatër e re e madhe zjarri ra gjatë mesnatës në fshatin Gjyralë, pjesë e Bashkisë së Cërrikut.
Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe bimësi, duke u përhapur me shpejtësi në zonë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, strukturat vendore kanë reaguar për menaxhimin e situatës, duke shmangur çdo rrezik.
Dhjetëra punonjës të shërbimit zjarrfikës, dy mjete, së bashku me forcat e emergjencave civile të Cërrikut, janë dërguar menjëherë në vendngjarje.
Ekipet po punojnë me intensitet dhe për izolimin e vatrave, vënien e flakëve nën kontroll dhe shuarjen e plotë të zjarrit.
Nuk ka asnjë rrezik për zonat e banuara. Banesat e fshatit Gjyralë ndodhen në distancë të sigurt nga vija e zjarrit. Zjarrfikësit kanë krijuar një perimetër mbrojtës për të garantuar që asnjë shtëpi të mos cenohet.