Nga shkrirja e bashkive deri te zgjedhjet e vitit 2027, çfarë po diskuton Rama në Pogradec?
Ka nisur takimi i thirrur nga kryeministri Edi Rama në rezidencën qeveritare në Pogradec, ku marrin pjesë 12 drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste, si dhe kryetarët e komisioneve parlamentare.
Drejtuesit politikë kanë mbërritur gradualisht në rezidencën qeveritare, ndërsa kryeministri Rama ka mbërritur rreth orës 11:20.
Sipas burimeve të cituara nga mediat, takimi është përqendruar fillimisht te organizimi i strukturave të Partisë Socialiste dhe orientimet për punën në terren.
Shkrirja e bashkive, pjesë e diskutimeve
Një prej çështjeve të diskutuara raportohet të ketë qenë edhe shkrirja e disa bashkive. Rama mësohet t’u ketë kërkuar drejtuesve politikë të zonave ku është diskutuar kjo çështje që të shpjegojnë te qytetarët se ndryshimet synojnë, sipas tij, ofrimin e shërbimeve më të shumta dhe më të shpejta.
Sipas të njëjtave burime, gjatë diskutimit është ngritur edhe çështja e reagimeve të banorëve dhe strukturave lokale ndaj mundësisë së ndryshimit të organizimit territorial.
Nis përgatitja për zgjedhjet lokale të 2027
Në takim është diskutuar gjithashtu për zgjedhjet lokale të vitit 2027. Kryeministri Rama mësohet t’u ketë kërkuar drejtuesve politikë që të nisin identifikimin e emrave dhe figurave që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me komunitetet lokale.
Në fokus pritet të jetë përzgjedhja e kandidatëve dhe forcimi i strukturave të Partisë Socialiste në nivel vendor.
Sipas burimeve, gjatë mbledhjes Rama ka kërkuar gjithashtu leximin e dy dokumenteve të cilësuara “Besa” dhe “Prania Besnike”.
Takimi pritet të vijojë edhe ditën e nesërme, kur në rezidencën qeveritare pritet të jenë të pranishëm ministrat, por edhe drejtues të institucioneve të tjera.
Në përfundim të punimeve pritet të përpilohet një dokument me çështjet e diskutuara dhe objektivat e përcaktuara, përfshirë ato që lidhen me përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2027.