“E pashë në TikTok”, 48% e të rinjve të brezit Z frymëzohen nga videot e shkurtra për udhëtimet
Gati gjysma e të rinjve përdorin TikTok-un për të gjetur ide për vendet ku do të kalojnë pushimet. Platforma online vlerësohet më e rëndësishme se këshillat e miqve për pushimet.
Brezi Z po udhëheq ndryshimin në mënyrën se si turistët zbulojnë, rezervojnë dhe ndajnë pushimet e tyre.
Videot e shkurtra në TikTok po ndikojnë gjithnjë e më shumë në përzgjedhjen e destinacioneve dhe aktiviteteve. Ky ndikim është veçanërisht i fortë te të rinjtë e lindur ndërmjet viteve 1997 dhe 2012. TUI Musement, një platformë që studion udhëtimet, analizoi ndikimin e rrjeteve sociale te turistët në Spanjë, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Studimi tregoi se 48% e pjesëtarëve të brezit Z e përdorin TikTok-un si burim frymëzimi për udhëtimet. Sipas kompanisë, përmbajtja vizuale dhe videot e shkurtra po fitojnë më shumë ndikim te turistët. Më shumë se katër në dhjetë udhëtarë thanë se një postim viral i kishte shtyrë të rezervonin një udhëtim ose aktivitet. Ky ndikim ishte pak më i lartë te brezi i mijëvjeçarëve sesa te brezi Z.
Edhe krijuesit e përmbajtjes luajnë rol të rëndësishëm në vendimet që marrin turistët. Rreth 27% e të anketuarve thanë se kishin ndryshuar destinacionin pas rekomandimit të një influencuesi. Ndikimi i rrjeteve sociale vazhdon edhe pasi udhëtarët mbërrijnë në destinacion.
Më shumë se një e treta ndiejnë presion për t’i paraqitur pushimet më emocionuese në profilet e tyre. Pothuajse katër në dhjetë turistë kanë vizituar një atraksion kryesisht për të bërë fotografi ose video. Ndërkohë, shumë udhëtarë parapëlqejnë vendet e famshme në Instagram në vend të destinacioneve më pak të njohura.