Monday, 24 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaTEHERAN – Irani pranon vështirësitë ekonomike, ndërsa SHBA-ja paralajmëron sanksione të reja

TEHERAN – Irani pranon vështirësitë ekonomike, ndërsa SHBA-ja paralajmëron sanksione të reja

TEHERAN, 24 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka pranuar vështirësitë ekonomike me të cilat përballet vendi, ndërsa Uashingtoni planifikon të ashpërsojë sanksionet ndaj Teheranit.

Qeveria është e angazhuar për uljen e inflacionit, tha Pezeshkian në një fjalim, sipas një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të presidentit.

Ai foli gjithashtu për një “çekuilibër të madh” në sektorët e ujit, energjisë elektrike, gazit, karburanteve, mjedisit dhe sistemit bankar, probleme që, sipas tij, qeveria e tij i ka “trashëguar”.

Pezeshkian tha se që prej ardhjes së administratës së tij në pushtet, Irani është përballur me një kombinim të luftës, sanksioneve, presionit politik dhe atentateve.

Në fjalimin e tij, presidenti iranian duket se iu referua edhe kërcënimit të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili – gati gjashtë muaj pas fillimit të konfliktit ushtarak – kërcënoi Iranin me një “luftë ekonomike”.

Sipas deklaratës, Pezeshkian tha se Irani po përballej me një luftë gjithëpërfshirëse ekonomike, ushtarake dhe të sigurisë, duke theksuar se armiqtë e vendit kishin kërcënuar hapur me vendosjen e sanksioneve të paprecedenta.

Pezeshkian deklaroi se Irani do t’i përballojë presionet, pasi populli qëndron i bashkuar dhe tregon qëndrueshmëri.

Ndërkohë, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, paralajmëroi SHBA-në për një efekt “bumerang”.

Ai publikoi në rrjetin X një karikaturë që nënkuptonte se lufta ekonomike e shpallur nga Uashingtoni mund të përfundonte duke goditur vetë SHBA-në.

Trump njoftoi të mërkurën se synonte të rriste presionin ndaj Iranit, duke e përshkruar këtë si një “D-Day ekonomik” për vendin.

Ai kërcënoi gjithashtu me masa të ashpra mbështetësit e Teheranit, por fillimisht nuk dha detaje mbi planet e tij.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent pritet të mbajë sot një konferencë për shtyp mbi këtë nismë.

Ai i ka përshkruar masat e planifikuara si “sanksionet më të ashpra në histori”.

Media shtetërore iraniane reagoi me qetësi ndaj deklaratës së Trumpit.

Agjencia e lajmeve “Tasnim” shkroi se SHBA-ja prej vitesh është përpjekur të ndërpresë të gjitha lidhjet financiare dhe ekonomike me Iranin.

Megjithatë, sipas saj, Irani ka mësuar t’i anashkalojë këto kufizime dhe është bërë shumë i aftë në këtë drejtim.

Edhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, bëri deklarata të ngjashme.

Ai tha se lufta ekonomike është një model i përsëritur dhe pjesë e taktikave afatgjata të Uashingtonit për të ushtruar presion dhe frikësim ndaj Iranit.

Sipas tij, Irani ka mësuar se si të përballet me këtë presion. /

Lini një koment