Monday, 24 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaArrestohet 34‑vjeçari që kanosi me armë zjarri tre shtetas, sekuestrohen pistoleta dhe municion luftarak

Arrestohet 34‑vjeçari që kanosi me armë zjarri tre shtetas, sekuestrohen pistoleta dhe municion luftarak

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Reagimi”, pas marrjes së informacionit se në fshatin Adriatik tre shtetas ishin kanosur me armë zjarri.

Menjëherë u organizuan veprimet hetimore dhe operacionale, të cilat çuan në arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar.

Në pranga u vu shtetasi N. N., 34 vjeç, banues në fshatin Adriatik, Kurbin, i cili akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Sipas hetimeve, më datë 22 gusht 2026, rreth orës 20:00, ky shtetas ka kanosur me armë zjarri pistoletë, për motive të dobëta, tre persona: N. N., 72 vjeç, M. N., 43 vjeç dhe A. N., 50 vjeç (babai dhe dy djemtë e tij). Gjithashtu, ai ka goditur me grusht shtetasin 50‑vjeçar.

Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pistoletë të dyshuar të përdorur për kanosjen, si dhe 2 krehra dhe municion luftarak.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa Policia e Shtetit thekson se mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë së qytetarëve.

Lini një koment