Pse industria gjermane po zhvendoset në Hungari?
Industria gjermane po përballet me sfida të mëdha: kostot e larta të prodhimit dhe rënia e kërkesës po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë konkurrencën. A është zgjidhje largimi nga Gjermania?
Në mes të sallës së prodhimit ka mbetur një hapësirë e madhe bosh. Deri para dy javësh aty ndodhej një makinëqë prodhonte goma. “Ajo që është larguar, nuk kthehet më. Nuk duhet t’i bëjmë iluzione vetes”, thotë drejtori ekzekutiv Gernot-Alois Feiel.
Kjo është tashmë linja e katërt e prodhimit që ai ka zhvendosur këtë vit në Hungari.
Prej 50 vitesh, kompania KACO në Kirchardt të Baden-Württembergut prodhonte pjesë për industrinë automobilistike. Presioni në rritje i kostove po e godet rëndë edhe këtë kompani të mesme. Para disa javësh, një klient i madh uli me 10 përqind çmimin e një porosie të madhe. Kjo e vendos kompaninë përballë sfidave serioze.
“Ndërkohë që çmimet e produkteve tona bien, kostot e prodhimit, energjisë dhe inflacioni vazhdojnë të rriten. Marzhi i fitimit po bëhet gjithnjë e më i vogël. Në një moment prodhimi në Gjermani bëhet plotësisht joatraktiv për një kompani”, thotë ai.
Lënda e parë bazë, goma e papërpunuar, sot përpunohet kryesisht në Hungari dhe jo më në Baden-Württemberg.
Më shumë porosi jashtë vendit
Një studim i kompanisë konsulente Horváth, i realizuar me 1.000 drejtues kompanish me seli në Gjermani, tregon se pothuajse 60 përqind e tyre presin reduktim të vendeve të punës në Gjermani deri në vitin 2030.
Shumë kompani po ndjekin tashmë strategjinë “Local-for-Local”, sipas së cilës produktet prodhohen në tregjet ku do të shiten. Kjo synon të shmangë problemet me zinxhirët e furnizimit dhe tarifat doganore.
Por kjo nënkupton edhe rënie të eksporteve nga Gjermania.
Të anketuarit presin rritje të punësimit veçanërisht në Indi, Kinë dhe Amerikën e Veriut. Brenda Evropës, pjesa lindore e kontinentit po bëhet më tërheqëse: 52 përqind e drejtuesve presin rritje të vendeve të punës atje.
Hungaria, qendra e re e industrisë automobilistike gjermane
Prej vitesh, Hungaria është bërë destinacion kryesor për industrinë automobilistike gjermane. BMW, Audi dhe Mercedes-Benzkanë investuar miliarda euro dhe kanë ndërtuar fabrika të mëdha.
Edhe furnitorët gjermanë po zhvendosen në Evropën Lindore.
Fabrika më e madhe e Mercedes-Benzit nuk ndodhet më në Gjermani, por në qytetin hungarez Kecskemét. Aty pritet të prodhohet në të ardhmen klasa C plotësisht elektrike, si dhe modele të tjera.
Edhe konkurrenca kineze po investon masivisht në Hungari. Prodhuesi më i madh i baterive në botë, CATL, do të hapë së shpejti fabrikën gjigante në Debrecen, ndërsa kompania kineze BYD po ndërton një uzinë të madhe në jug të Hungarisë. Automjetet kineze “Made in Europe” pritet të dalin nga linjat e prodhimit që vitin e ardhshëm.
Avantazh në paga dhe orët e punës
Drejtori i Mercedesit, Ola Källenius, e vlerëson shumë Hungarinë: “Shpenzimet e prodhimit këtu vendosin standarde për të gjithë Evropën.”
Sipas llogaritjeve të kompanisë, prodhimi në Hungari kushton deri në 70 përqind më pak se në një fabrikë në Gjermani.
Mesatarisht, kostoja e punës për orë në industrinë përpunuese në Hungari është 15,60 euro, ndërsa në Gjermani arrin në 49,50 euro, më shumë se trefishi.
Po ashtu, java e rregullt e punës në Hungari është 40 orë, ndërsa në sektorët e mbuluar nga kontrata kolektive e sindikatës IG Metall në Gjermani është 35 orë.
Mercedes thekson edhe një tjetër avantazh: shkalla e mungesave për shkak të sëmundjeve është dukshëm më e ulët në Hungari. Në fabrikat gjermane kjo normë është më shumë se dy herë më e lartë.
Një zhvendosje me ndjenja të përziera
Fabrika e KACO-s në Hungari tashmë është pothuajse plotësisht e mbushur. Hapësira e fundit do të zëvendësohet deri në fund të vitit dhe atëherë nuk do të ketë më vend për makina të ardhura nga Gjermania.
Për drejtorin Feiel kjo është një situatë me ndjenja të përziera.
“Nga njëra anë më gëzon fakti që makineritë tona vazhdojnë të prodhojnë. Por kur mendoj për punonjësit gjermanë që nuk mund të punojnë më në këto makina, zemra të dhemb.”
Askush nuk dëshiron të humbasë produkte apo vende pune, thotë ai.
Në vitet e fundit, kompania ka shkurtuar 174 vende pune, kryesisht në prodhim, në fabrikën gjermane.
A është kontrata kolektive një disavantazh konkurrues?
Kjo e bën Feiel-in të mendojë seriozisht për të ardhmen e Gjermanisë si vend industrial. Në fillim të gushtit, drejtuesit e KACO-s vendosën të largohen nga shoqata e punëdhënësve Südwestmetall. Në të ardhmen kompania nuk do të zbatojë më kontratën kolektive të sindikatës IG Metall.
Sipas tij, së bashku me zhvendosjen e prodhimit në Hungari, kjo është mënyra e vetme për të mbetur konkurrues.
“Kostot e pagave sipas kontratave kolektive janë bërë shumë të larta. Edhe pse partnerët socialë kanë kontribuar shumë në mirëqenien e Gjermanisë, kjo po bëhet gjithnjë e më problematike në konkurrencën ndërkombëtare.”
Inovacioni dhe shpresa e Gjermanisë
Megjithë humbjen e vendeve të punës, zhvendosjen e prodhimit dhe rënien e të ardhurave në industrinë automobilistike, ekspertët shohin edhe mundësi pozitive.
Sipas Anita Wölfl nga Instituti ifo, Gjermania duhet të përqendrohet në fushat ku është më konkurruese.
“Efektet më të mëdha të rritjes ekonomike dhe produktivitetit në të ardhmen do të vijnë nga kërkimi shkencor, zhvillimi dhe inovacioni,” thotë ajo.
Ajo thekson se kompanitë gjermane duhet të mbështeten më fort edhe nga politika.
Edhe KACO po ndjek këtë strategji. Sipas Feiel-it, departamenti i zhvillimit është zemra e kompanisë dhe nuk mund të zhvendoset jashtë vendit.
“Gjermania është shumë e fortë në kreativitet dhe inovacion. Në krahasim ndërkombëtar, jemi ndër më të mirët. Këtë avantazh nuk duhet ta humbasim kurrsesi”, thotë ai. (DW)