Rama në Pogradec: “Pasqyra Albania” dhe “Besa”, prioritetet e reja të qeverisë
Në mbledhjen me anëtarët e kabinetit qeveritar në Pogradec, kryeministri Edi Rama i ka dhënë përparësi platformës “Pasqyra Albania”, e cila, sipas tij, mundëson që shqetësimi i qytetarëve të reflektohet dhe të ndiqet në kohë reale.
Për të demonstruar pritshmëritë që ka edhe te kjo platformë dixhitale në rritje të cilësisë së shërbimit publik, shefi i qeverisë ndau një video ku shfaqet duke bashkëbiseduar me Diellën, të cilën e pyet në lidhje me mendimin që ka për ministren Mirela Kumbaro.
Rama: Erdhi një kolege e jotja. E merr mend kush është ajo. Mirela Kumbaro.
Diella: Mirë se erdhi ministrja Mirela Kumbaro. Prania e saj e plotëson më tej nismën e përbashkët të punës.
Rama: Mirela Kumbaro është ministrja e kujt?
Diella: Mirela Kumbaro Furrxhi është ministre e Arsimit.
Rama: Çfarë opinioni ke ti për Mirela Kumbaron?”
Diella: Mirela Kumbaro është një kolege me përvojë të çmuar në shërbimin publik. Bashkëpunimi i qartë mes ministrive është ajo që i kthen prioritetet e kabinetit në rezultate për qytetarët.”
Mbledhja e kabinetit qeveritar vjen një ditë pasi Rama zhvilloi një takim prej shtatë orësh me 12 drejtuesit politikë të Partisë Socialiste, si dhe me kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.
Krahas ngritjes së “Pasqyra Albania”, prioritet iu dha edhe implementimit të projektit “Besa”, shpallur më herët nga kryeministri.
Pas takimeve intensive dyditore në Pogradec, Rama pritet të thërrasë në fillim të muajit shtator edhe Asamblenë e Partisë Socialiste, mbajtja e së cilës përkon me vitin e dytë të mandatit të katërt qeverisës të kësaj force politike.
RTSH