PARIS – Macron: Moska do të shtojë provokimet, të jemi të përgatitur
PARIS, 24 gusht /ATSH-ANSA/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se Rusia do të intensifikojë tensionet ndaj vendeve evropiane, me synimin për t’i dekurajuar ato nga vijimi i mbështetjes për Ukrainën.
Gjatë fjalës së tij në Koalicionin e të Vullnetshëmve, Macron shprehu solidaritetin me kolegët që, sipas tij, janë vënë në shënjestër gjatë javëve të fundit.
“Është e qartë se vendet e NATO-s do të jenë në shënjestër dhe se provokimet do të shumëfishohen. Duhet të vazhdojmë atë që kemi nisur të bëjmë në kuadër të NATO-s për të garantuar një qëndrim të vendosur”, deklaroi ai.
Macron theksoi gjithashtu nevojën për intensifikimin e luftës kundër të ashtuquajturës “flota hije”, duke e cilësuar këtë strategji si efektive.
Sipas presidentit francez, vendet duhet të dyfishojnë përpjekjet për sanksione dhe masa të tjera ndaj kësaj flote, duke forcuar njëkohësisht koordinimin dhe duke shmangur rrezikun e përshkallëzimit.
“Ministrat tanë të Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme tashmë po punojnë në këtë front”, tha Macron, duke propozuar thirrjen e një takimi ministror në javët e ardhshme, të dedikuar luftës kundër “flotës hije”.
Ai nënvizoi se synimi është që, “kudo që të jetë e mundur të veprohet”, vendet evropiane të ndërmarrin veprime të koordinuara për të rritur presionin ndaj Rusisë, duke shmangur njëkohësisht përshkallëzimin e konfliktit./ a.jor.