Monday, 24 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaProkurorët shqiptarë pjesë e rrjetit ndërkombëtar, Shoqata e Prokurorëve anëtarësohet në IAP

Prokurorët shqiptarë pjesë e rrjetit ndërkombëtar, Shoqata e Prokurorëve anëtarësohet në IAP

Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë ka njoftuar pranimin e saj si anëtare me të drejta të plota në Shoqatën Ndërkombëtare të Prokurorëve (International Association of Prosecutors – IAP).

Në njoftim, Shoqata e Prokurorëve e cilëson anëtarësimin si një moment të rëndësishëm për përfaqësimin e prokurorëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare.

Sipas saj, IAP, e themeluar më 6 qershor 1995 në Zyrat e Kombeve të Bashkuara në Vjenë, bashkon mbi 250 mijë prokurorë nga 175 vende të botës.

Anëtarësimi i jep Shoqatës mundësinë të bëhet pjesë aktive e një rrjeti ndërkombëtar profesionistësh, të shkëmbejë përvoja dhe praktika të mira me kolegë nga sisteme të ndryshme të drejtësisë, si dhe të kontribuojë në diskutimet ndërkombëtare mbi rolin, pavarësinë, integritetin dhe profesionalizmin e prokurorit.

Shoqata thekson se ky anëtarësim do të shërbejë gjithashtu për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, zhvillimin profesional të anëtarëve dhe forcimin e komunikimit me organizatat homologe.

“Për Shoqatën e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, anëtarësimi në IAP përfaqëson më shumë se një njohje institucionale. Ai është një hap drejt një përfaqësimi më të gjerë të prokurorëve shqiptarë në komunitetin ndërkombëtar të prokurorëve dhe një mundësi për të sjellë në Shqipëri përvojën, standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Shoqata bën me dije se synon ta shndërrojë këtë anëtarësim në një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi, shkëmbimi profesional dhe zhvillimi, në funksion të forcimit të rolit të prokurorit në një shoqëri demokratike dhe të vlerave të drejtësisë.

Lini një koment