Rama pas mbledhjes së qeverisë në Pogradec: Forcojmë marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit
Pas disa orësh diskutime me ministrat e kabinetit në Pogradec, kryeministri Edi Rama ka zbardhur disa prej prioriteteve të qeverisë dhe qasjen e re të Partisë Socialiste në territor.
Në fokus të mbledhjes ka qenë forcimi i marrëdhënies mes qytetarit dhe shtetit, ndërsa Rama njoftoi funksionimin e platformës së re “Pasqyrë Albania”, si një mekanizëm për të ndjekur në kohë reale kërkesat dhe problematikat e qytetarëve.
“Është një dritare ku secili ka autonominë e vet, për të pasur kontaktin direkt të qytetarit me atë pushtet. Nuk është thjesht halli, kërkesa e qytetarit që do të konceptohet si një pako që çohet me postë dhe statusi që ndiqet në kohë reale, që mbart përgjegjësinë e afateve”, tha kryeministri përmes një video në rrjetin social Facebook.
Një tjetër prioritet i qeverisë, sipas Ramës, do të jetë programi i strehimit, ndërsa theksi do të vihet edhe te shëndetësia, arsimi dhe përmirësimi i cilësisë së jetës. Kryeministri paralajmëroi gjithashtu një plan për transparencën e çmimeve të ushqimeve bazë, duke theksuar se shteti nuk do të përcaktojë çmimet, por do t’u japë qytetarëve më shumë informacion.
“Jemi përqendruar shumë te shëndetësia dhe arsimi, te krijimi i një zinxhiri, i cili do të jetë zinxhiri i Shqipërisë Sociale. Një Shqipëri Sociale në gjërat që lidhen me cilësinë e jetës së qytetarëve.”, tha ai.
Në komunikimin e tij, Rama u ndal edhe te protestat e zhvilluara gjatë verës përpara Kryeministrisë. Ai tha se protesta qytetare e ka sfiduar realisht qeverinë dhe se nga kjo situatë, sipas tij, duhet të dalë një qeverisje më e mirë
“Ajo protestë që ndodhi na ka sfiduar realisht, për aq kohë sa ishte qytetare. Aty u shfaqën njerëz që i çoi nevoja për të bashkuar zërin dhe për të thënë se ne meritojmë më shumë”, tha ai.
Në Pogradec socialistët nisën sezonin e ri politik. Në ditën e parë Rama zhvilloi takime me drejtuesit politik me fokus dokumenti “Besa”. Rama mësohet të jetë ndalur edhe te roli që duhet të ketë secili prej aktorëve në strukturën drejtuese në nivel rajonal, përfshirë ministrat, drejtuesit politikë, deputetët dhe drejtorët.
RTSH