E shkelmoi dy herë dhe e qëlloi me plumb në kokë, detaje nga vrasja e 45-vjeçares shqiptare në Greqi
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 45-vjeçares shqiptare në Nea Smyrni, Greqi.
Sipas të dhënave të ekzaminimit mjeko-ligjor, 45-vjeçarja është qëlluar me armë zjarri në kokë. Nga hetimet paraprake dyshohet se 48-vjeçari ka hyrë në banesë dhe e ka goditur gruan dy herë me shkelm.
Më pas, ai dyshohet se e ka tërhequr zvarrë për rreth një metër dhe e ka qëlluar sërish në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.
Kamerat e sigurisë, një nga provat kryesore të hetimit
Një pjesë e rëndësishme e hetimit po përqendrohet te pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja. Sipas autoriteteve, pamjet kanë regjistruar lëvizjet e 48-vjeçarit përpara krimit.
Nga këto pamje dyshohet se ai kishte mbërritur në zonë më herët dhe kishte pritur 45-vjeçaren jashtë pallatit ku ajo banonte.
Paralelisht, policia po shqyrton edhe pajisjet elektronike të 48-vjeçarit, me qëllim identifikimin e komunikimeve dhe të dhënave të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e marrëdhënies mes tij dhe viktimës, si dhe të ngjarjeve që i paraprinë krimit.
“U ndava sepse ishte xheloz”
Sipas informacioneve të hetimit, 45-vjeçarja i kishte treguar motrës së saj për marrëdhënien me një burrë dhe i kishte thënë se kishte vendosur të ndahej prej tij për shkak të xhelozisë.
Dyshohet gjithashtu se ajo i kishte rrëfyer motrës se burri vazhdonte të këmbëngulte për të rikthyer marrëdhënien dhe se ajo kishte frikë prej tij.
Në mbrëmjen kur ndodhi krimi, 45-vjeçarja ndodhej e vetme në banesë. Vajza e saj nuk ishte në Athinë, pasi kishte udhëtuar drejt Agrinios së bashku me xhaxhain e saj.
I la gruas 1 mijë euro para se të largohej
Ndërkohë, hetuesit po verifikojnë edhe lëvizjet e 48-vjeçarit përpara se të mbërrinte në Nea Smyrni.
Sipas dëshmisë së bashkëshortes së tij, para se të largohej nga banesa, ai i kishte lënë 1 mijë euro dhe i kishte thënë t’i mbante paratë.
Gruaja u ka deklaruar autoriteteve se gjatë 18 muajve të fundit kishte vënë re një ndryshim në sjelljen e bashkëshortit. Sipas saj, ai mungonte shpesh në shtëpi dhe në disa raste flinte jashtë, pa i treguar se ku ndodhej apo nëse kishte një marrëdhënie me një tjetër grua.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi orët e para të mëngjesit të së dielës (23 gusht). Dy trupat e pajetë u gjetën në hyrjen e një pallati në rrugën “Grigoriou Kydonion 3”. Në pallatin ku ndodhi krimi banon dhe vajza e 45-vjeçares.