Mali i Dajtit ende në rrezik zjarri , ja si vijon situata e zjarreve në vend
Këtë të martë, Ministria e Mbrojtjes ka vijuar raportimin mbi situatën e zjarreve në vend duke informuar se gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar në total 31 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten aktive dhe 6 janë nën mbikëqyrje.
Situata vijon të mbetet e rënduar në malin e Dajtit ku gjatë ditës së djeshme u angazhuan 30 efektivë të FA-së dhe 30 efektivë zjarrfikës, ndërsa për shkak të terrenit të vështirë u aktivizua edhe 1 helikopter i FA-së. Sot operacioni vijon me 20 efektivë të FA-së dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Ballenjë të Dibrës dhe në Qafën e Helmës në Bulqizë, vatrat vijojnë të mbeten aktive duke u mbajtur në monitorim nga efektivët e institucioneve përkatëse.
Situata paraqitet e përmirësuar në Pukë. Në zonën e Tërbunit, Gojanit dhe Gjegjanit. Zjarri në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh është shuar plotësisht, ndërsa zonat vijojnë të mbahen nën monitorim.
Në qarqet e tjera, pjesa më e madhe e vatrave të raportuara janë shuar ose po mbahen nën mbikëqyrje. Nuk raportohen situata me rrezik për zonat e banuara nga vatrat aktive.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar në total 370 forca operacionale dhe 22 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 70 efektivë, 1 automjet zjarrfikës, 1 ekskavator të rëndë me zinxhir dhe 3 helikopterë.