“Sheikët” e Parlamentit, 700 mijë euro për deputetët në korrik! Dieta, rimbursime, telefona, naftë e qira! Peleshi dhe
Kostoja për deputetët e Kuvendit gjatë muajit korrik rezulton të jetë mbi 707 mijë euro ose rreth 65 milionë lekë.
Përveç pagës bruto që shkon për të gjithë ligjvënësit më shumë se 42 milionë lekë çdo muaj, e për secilin mesatarisht 300 000, deputetët kanë përfituar edhe rimbursime në vlerë 23 milionë.
Shuma më e madhe e shpenzuar është për dieta për udhëtime brenda vendit, ku në total për muajin korrik janë harxhuar mbi 156 mijë euro.
Listën në këtë kategori e kryeson kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, të cilit i janë kthyer pas rreth 2000 euro. Më pas vendin e dytë e mban kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi me 1900 euro, teksa vlera më e shpeshtë shënohet të jetë rreth 1500 euro.
Rritja e çmimit të naftës duket se nuk është ndjerë në xhepat e deputetëve, pasi rezulton të jetë vlera e dytë më e lartë e shpenzuar përgjatë muajit korrik, me përafërsi 50 mijë euro.
Pjesa më e madhe e deputetëve janë rimbursuar për karburantin në vlerën e 40 mijë lekëve. Deputetët kanë përfituar edhe kthim parash për shpenzimet telefonike të cilat shkojnë përgjithësisht në vlerë 200 euro.
Gjithashtu përfshihen edhe honoraret për pjesëmarrjen në komisionet parlamentare, në shumë maksimale 24 mijë lekë. Ka edhe ligjvënës që deklarojnë qiratë e banesave për të cilat rimbursohen, ku çudia është Ana Dajko, deputetja e partisë “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt.
Ajo pavarësisht se ka deklaruar pasuri mbi 1 milionë euro dhe disa apartamente në pronësi, ka marr rimbursim qiraje në vlerë 140 mijë lekë të vjetra për korrikun, informon TCH.
Në një llogaritje të deputetëve që kanë përfituar më shumë në muajin e fundit të aktivitetit parlamentar, bie në sy që përfituesit më të shumtë janë deputetët e rinj të cilët veç rrogës paguhen edhe për kostot në përditshmëri.
Zamira Sinaj e Vlorës dhe Elton Korreshi i Fierit renditen të parët së bashku me socialisten e vjetër të Parlamentit Antoneta Dhima, ku për korrikun kanë përfituar rimbursim në vlerë rreth 260 mijë lekë.
Më pas me gati 2 mijë lekë më pak renditet i riu i PS po nga Fieri Erjo Mile dhe Bledi Çomo i Pogradecit.
Rreth 255 mijë lekë ka përfituar deputetja e re e PD Ledina Alolli dhe pas saj renditet deputetja socialiste Zegjine Çaushi me rreth 253 mijë.
Ndërsa konstatohet se janë parlamentarët me përvojë ata të cilët kanë përfituar më pak si Lindita Nikolla me vlerën më të ulët nga PS dhe Sali Berisha nga PD me vlerë rreth 500 euro shtesë. Pas tyre është Agron Shehaj dhe Elisa Spiropali.
Në listën e deputetëve me vlera më të ulëta të përfitimeve mujore është edhe Ogerta Manastirliu dhe Belinda Balluku. Ndërsa nga deputetët e rinj rezulton të jetë socialisti I Durrësit Loer Kume, deputeti i PSD Tedi Mulaj dhe deputetja e PS që u bë e pavarur Marjana Koçeku.