Detajet dhe fotot nga droga e sekuestruar në burgun 313, arrestohet familjari i të burgosurit
Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale ka publikuar fotot dhe detajet në lidhje me sekuestrimin e një sasie lënde narkotike në burgun “Jordan Misja” (313) në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, këtë të martë, më 25 gusht, u arrestuan në flagrancë shtetasi O. A., i burgosur në IEVP “Jordan Misja”, dhe familjari i tij, S. Z., të dyshuar për veprat penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve me Burgim”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve”.
Sipas AMSEVP, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, gjatë kontrollit në vijë të dytë në burgun 313, në ushqimet e sjella nga familjari për të burgosurin u gjetën: 17 doza të dyshuara kanabis si dhe 12 doza të dyshuara kokainë.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës së S. Z., u gjet dhe u sekuestrua një tjetër sasi e dyshuar kokaine dhe kanabisi, si dhe një fishek.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
AMSEVP u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje të detyrës nga punonjësit e strukturave të ekzekutimit të vendimeve penale.