INVESTIGIMI/ Erald Kapri dhe italiania Ghisleri fabrikuan sondazhin me paratë e BE, nxorën Shehajn politikanin më të besuesh
Katër muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, Erald Kapri, Agron Shehaj dhe fallxhorja italiane Alessandra Paola Ghisleri, ‘fabrikuan’ një sondazh, duke shpallur Gonen si politikanin më të besueshëm në Shqipëri, me qëllim për të ndikuar votuesit përmes mashtrimit dhe keqpërdorimit të besimit dhe fondeve të agjencive evropiane.
Si mekanizëm për sondazhin e rremë u përdor media Ditari i Erald Kaprit, financuar nga Fondi Evropian për Demokraci, krijuar në vitin 2013 nga Bashkimi Evropian.
Për t’a bërë më të besueshëm sondazhin e fabrikuar, Kapri, si Sanço Panço i Shehajt, ka futur në lojë edhe fallxhoren italiane, Alessandra Paola Ghisleri, drejtoreshë e institutit italian të sondazheve Euromedia Research, që njihet për sondazhe të rreme në Shqipëri prej vitesh dhe ‘testime me porosi’.

Ka dyshime të forta se Alessandra Ghisleri është paguar me para të pista nga Agron Shehaj, jo vetëm për të fabrikuar rezultatet e sondazhit të rremë, por edhe për t’i mbrojtur ato publikisht, duke shitur besueshmërinë dhe reputacionin për para.
Përpjekjet për të ndikuar tek votuesit përmes dezinformimit me sondazh të rremë nga Shehaj dhe Kapri, u konfirmua nga rezultati i zgjedhjeve të 11 majit 2025. Ndryshe nga sondazhi i Media Ditar dhe Euromedia Research, Edi Rama dhe PS-ja shënuan fitoren më të thellë, duke marrë 83 mandate. Rezultati i zgjedhjeve konfirmoi përdorimin e fondeve të BE nga Kapri për interesat e tij politike, si dhe të kryetarit të partisë së tij, Agron Shehaj.

Euromedia Research është konfirmuar si një nga kompanitë italiane më të pabesueshme në fushën e kërkimit dhe sondazheve. Kompania dyshohet se bën sondazhe kundrejt pagesave me rezultat të paracaktuar sipas dëshirës së porositësit. Në vitin 2010, Euromedia Research nxori PD-në me 9 pikë para PS-së. Në zgjedhjet e 2013, ku PS-ja fitoi zgjedhjet, Euromedia Research kishte parashikuar fitoren e PD me 5 pikë para PS-së. Euromedia Research bën sondazhe të rreme kryesisht me porosi të Berishës, por vitet e fundit duket se ka vendosur që të pëlqejë politikanët që paguajnë më shumë!
Lidhja e Erald Kaprit me Median Ditar që financohet nga BE
Deputeti Erald Kapri, i shfaqur herë si kameraman dhe herë si Sanço Panço i Agron Shehajt, rezulton se ka përfituar tendera publikë dhe fonde nga BE, përmes dy kompanive me aktivitet të dyshimtë, ndërsa ka bërë deklarim pasurie të pasaktë, duke tentuar të fshehë një klinikë estetike te Sheshi Willson, në emrin e bashkëshortes. Në 3 maj 2023, Erald Kapri themelon kompaninë mediatike ‘Media Ditari Initiative’ shpk, me kapital 1 mijë lekë.
Përmes kësaj kompanie, Kapri ka përfituar mijëra euro nga Fondi Evropian për Demokraci (EED) për të denoncuar abuzimet me pushtetin dhe korrupsionin, përmes portalit anonim ditar.al, ku si ‘investigime’ poston kryesisht lajmet e BIRN si dhe lajme intensive mbi aktivitetin e tij dhe të Shehajt. Fondi Evropian për Demokraci u krijua në vitin 2013 nga Bashkimi Evropian dhe vendet e saj anëtare për të ofruar grante në mbështetje të aktorëve të ndryshimeve demokratike në vende si Shqipëria, Taxhikistani, Tunizia, Turkmenistani, Uzbekistani, Algjeria, Bjellorusia, Bosnja dhe Hercegovina, Moldavia, Nigeria, Omani, Palestina, Rusia, Serbia etj.

Në 26 mars 2025, para se të bëhej deputet, Erald Kapri ua dhuron aksionet Olgert Kaprit dhe Xhon Metajt. Ka dyshime se lëvizja është fiktive dhe për të evituar formalisht konfliktin e interesit me statusin e deputetit, pasi Olgert Kapri është vëllai i Erald Kaprit. Lidhja konfirmon se kemi të bëjmë me kontroll aksionesh brenda rrethit familjar. Referuar lëvizjeve bankare, biznesi i Kaprit i financuar nga fondet e BE, ka qarkulluar çdo vit dhjetëra mijëra euro, para të cilat janë përfituar kryesisht në formë pagash.
Portali i themeluar me fondet e BE, gjoja për të denoncuar korrupsionin, përdoret si teneqe propagandistike për aktivitetin politik të Erald Kaprit dhe kryetarit të tij, Agron Shehaj, i kallëzuar në SPAK për pastrim parash. Përmbajtja e portalit, sidomos pasi Kapri i dhuroi aksionet vëllait, dominohet nga pasqyrimi pozitiv i aktiviteteve dhe deklaratave politike të Agron Shehajt dhe Erald Kaprit, duke devijuar nga misioni për të cilin është financuar me fondet e BE.
Erald Kapri, para se të bëhej deputet, rezulton se ka futur duart edhe në buxhetin e shtetit, duke përfituar tendera publikë. Kapri rezulton aksioner me 20 % në kompaninë Albanian Archives, themeluar në gusht të vitit 2019, me objekt ushtrimi i veprimtarisë së arkivës private. Kompania është pezulluar në vitin 2024 dhe në vitin 2025 ka kaluar në statusin ‘likuidim e sipër’. Gjatë vitit 2022, kompania me aksioner Erald Kapri ka përfituar dy tendera publikë nga bashkitë Cërrik dhe Peqin për shërbim arkivor.

Si për ironi, Kapri i ka fituar tenderat një vit para se të niste biznesin për denoncimin e korrupsionit në Shqipëri me paratë e Bashkimit Evropian. Ndërkaq, referuar deklaratës së pasurisë Kapri deklaron 17 mijë euro të ardhura nga OJF.

Deklarim i pasaktë për klinikën estetike
Bashkëshortja e Erald Kaprit, zonja Antoneta Muçaku, ka bërë deklarim të pasaktë për një klinikë estetike tek Sheshi Willson. Në deklaratën e pasurisë, Muçaku deklaron regjistrimin si person fizik, me emrin tregtar Anta Estetics me nipt M31712012G. Nga verifikimet rezulton se si emri tregtar, ashtu edhe nipti, janë të dhëna të rreme, në dukje si lapsus, por ndoshta me qëllim për të kamufluar investimin.

Ndryshe nga deklarimi pranë ILDKPKI, nipti i biznesit rezulton M31627026C, ndërsa emri tregtar Anta Esthetics. Klinika estetike është hapur në prill të vitit 2023 dhe është mbyllur në shkurt të vitit 2024. Nuk dihet vlera e investimit, ndërsa burimi pretendohet të ardhura nga paga.

Hapja e një klinike estetike, aq më tepër në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës, dikton një investim dhjetëra mijëra euro. Nuk duket e besueshme që një investim i tillë justifikohet me kursime nga paga.

Një klinikë estetike te Sheshi Willson ndoshta mund t’a përballonin vetëm paratë e AKSHI-t ose milionat e Gones, i cili bleu një vilë 2.9 milionë euro në vitin 2019 dhe e shiti 15 milionë euro në vitin 2025./ Prapaskena.com/
