Wednesday, 26 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaRama pas takimeve në Pogradec njofton mbledhje me drejtuesit politik dhe ministrat të premten në PS

Rama pas takimeve në Pogradec njofton mbledhje me drejtuesit politik dhe ministrat të premten në PS

Vetëm pak ditë pas takimeve dyditore në Pogradec, kryeministri Edi Rama rikthen në selinë e Partisë Socialiste drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat e kabinetit qeveritar. Mbledhja do të zhvillohet të premten.

Takimi vjen në vijim të diskutimeve të zhvilluara në Pogradec, ku Rama vendosi në qendër të vëmendjes nevojën për një qasje të re të qeverisë dhe Partisë Socialiste ndaj problematikave të qytetarëve.

Kryeministri u ka kërkuar ministrave që të ndjekin çdo muaj punën e drejtorive në varësi, ndërsa drejtuesve politikë u ka kërkuar një prani më të madhe në terren dhe kontakt më të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Kjo qasje është konkretizuar edhe përmes dy dokumenteve të prezantuara nga Partia Socialiste, “Besa” dhe “Prania Besnike”.

Një tjetër element i diskutimeve në Pogradec ishte platforma “Pasqyrë Albania”, e cila synon të mbledhë, monitorojë dhe ndjekë ankesat e qytetarëve. Sipas projektit, problematikat duhet të marrin përgjigje brenda dy javësh, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin në kohë reale se në cilin institucion ndodhet kërkesa e tyre.

Platforma parashikon funksionimin përmes dy mekanizmave: “Flamingo Albania”, që do të shërbejë për mbledhjen e ankesave dhe shqetësimeve, dhe “Radar”, për gjurmimin e trajtimit të tyre nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.

Gjatë takimeve në Pogradec, ministrat prezantuan gjithashtu analizën e punës së sektorëve që drejtojnë dhe prioritetet për periudhën në vijim.

Mbledhja e së premtes do të shërbejë si vijim i këtij procesi, me fokus zbatimin e vendimeve të marra dhe forcimin e pranisë së qeverisë dhe strukturave të PS-së në terren.

Lini një koment