Presidenti Begaj pranon Letrat Kredenciale të Ambasadores së Belgjikës në Shqipëri, duke riafirmuar marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin në NATO e BE
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim Ambasadoren e Mbretërisë së Belgjikës në Shqipëri, znj. Olga Cogen me rastin e pranimit të Letrave Kredenciale.
Presidenti i Republikës vlerësoi vendimin për hapjen për herë të parë të Ambasadës së Mbretërisë së Belgjikës me seli në Tiranë.
Gjatë takimit u riafirmua angazhimi për të forcuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe me Belgjikën, bazuar në vlerat e përbashkëta evropiane, dialogun e ngushtë politik dhe bashkëpunimin e fortë brenda NATO-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.
Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke theksuar se për Shqipërinë integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet.
Kreu i Shtetit e siguroi Ambasadoren Cogen për mbështetjen e Institucionit të Presidentit dhe institucioneve shqiptare në kryerjen me sukses të misionit të saj diplomatik në Shqipëri.