FOKUS – Të paktën 17 të vdekur dhe qindra të zhdukur pas përmbytjeve në kufirin Nepal-Tibet
– Qindra persona rezultojnë të zhdukur pas përmbytjeve të befasishme që përfshiu sot lumin Bhote Koshi, në zonën Rasuwa, në veri të Nepalit, pranë kufirit me Tibetin, raportoi BBC.
Të paktën 17 persona kanë humbur jetën, ndërsa përmasat e dëmeve vijojnë të vlerësohen.
Sipas Bordit të Turizmit të Nepalit, 384 vizitorë janë raportuar të zhdukur, prej të cilëve 291 shtetas të huaj dhe 93 shtetas nepalezë.
Autoritetet po punojnë për të verifikuar vendndodhjen dhe gjendjen e tyre.
Mes të zhdukurve janë 105 shtetas indianë, 37 indianë që jetojnë jashtë vendit, 17 malajzianë, 12 britanikë, katër shtetas të Afrikës së Jugut, tre amerikanë, një australian dhe një holandez. Për 111 persona ende nuk është konfirmuar kombësia.
Ministri i Jashtëm i Nepalit, Shishir Khanal tha se të dhënat paraprake sugjerojnë se një tërmet rreth orës 08:37 me orën lokale mund të ketë shkaktuar një ortek, i cili më pas ka sjellë përmbytjen e menjëhershme. Ai theksoi se informacioni është ende duke u verifikuar.
Situata është veçanërisht e rëndë në Rasuwa dhe Nuwakot, ku janë raportuar dëme të mëdha në rrugë, ura, rrjetet e komunikimit dhe infrastrukturën hidroenergjetike.
Në zonën e prekur rezultojnë gjithashtu të zhdukur 26 punonjës policie, nëntë pjesëtarë të forcave të armatosura të policisë dhe 44 ushtarakë, si dhe punonjës të doganave dhe emigracionit.
Autoritetet kanë hasur vështirësi në përpjekjet për të arritur në zonat e prekura, pasi rrugët janë ndërprerë dhe erërat e forta kanë penguar përdorimin e helikopterëve.
Pamjet nga Nuwakot tregojnë përmasat e dëmeve, ujërat e turbullta kanë përmbytur pjesërisht banesa dhe kanë mbuluar rrugët, ndërsa mjete dhe pajisje të ndryshme janë zhytur në baltë.
Dëme të mëdha janë raportuar edhe në anën tibetiane të kufirit, ndërsa autoritetet nepaleze kanë nisur koordinimin me Kinën për situatën. /