Reforma territoriale, Dorjan Teliti: PD kërkon konsensus politik
Sesioni i ri parlamentar do të risjellë debatet politike për hartën e re territoriale. Mazhoranca dhe opozita janë ndarë në numrin e bashkive të vendit.
Partia Socialiste kërkon që të ulet me 15 numri i bashkive, ndërsa demokratët kërkojnë rritjen e tyre me argumentin se shumica po përpiqet në mënyrë të njëanshme të hartojë një hartë për interesa elektorale. Opozita ka adresuar shqetësimin pranë faktorit ndërkombëtar dhe Kongresit të Autoriteteve Rajonale të Këshillit të Europës.
Përfaqësues të opozitës theksojnë se reforma territoriale duhet të realizohet me konsensus politik dhe se interesi qytetar duhet të prevalojë.
“Në çdo vend demokratik qytetari është i pari. Në një vend diktatorial pastaj flet vetëm politika qeverisëse”, tha Dorjan Teliti.
Teliti tha në RTSH 24 se opozita do të këmbëngulë tek vijimi i konsultimeve me qytetarët, pasi, nëse shumica e miraton me votat e saj këtë reformë, ajo do të jetë pa legjitimitet.
“Asnjë dëgjesë e vetme nuk është kryer në bashkinë e Tiranës. Është bashkia e cila është zemra e ekonomisë shqiptare, është zemra praktikisht e institucioneve dhe funksionimit të shtetit shqiptar. Vetëm në këtë bashki, praktikisht të Tiranës, e cila gjeneron më shumë se gjysmën e ekonomisë shqiptare, asnjë qytetar i vetëm nuk është pyetur”, tha ai.
Ai tha se Brukseli ka kërkuar që reformat territoriale dhe ajo zgjedhore të miratohen në Kuvend me dakordësinë e të gjithë faktorit politik.