Aktorë shtetërorë tentuan të hakeronin zyrtarët e BE-së
Aktorë shtetërorë janë përpjekur të hakerojnë profilet e zyrtarëve të BE-së në aplikacionet Signal dhe WhatsApp. Kështu thuhet në një raport të rezervuar të Komisionit Evropian, i siguruar nga Euronews.
Dokumenti, i përgatitur nga Bordi Ndërinstitucional për Sigurinë Kibernetike, një strukturë e ngritur në 2024-n, ofron një tablo të përditësuar mbi kërcënimet me të cilat u përball Brukseli përgjatë vitit të kaluar.
Sipas institucionit, për herë të parë aktorë të sponsorizuar nga shtete të ndryshme janë angazhuar në “spearphishing”, një metodë mjaft efikase për sulme kibernetike, përmes të cilës hakerat u dërgojnë mesazhe të personalizuara individëve apo grupeve të caktuara, për të vjedhur të dhënat apo për të instaluar viruse.
Ekspertë të BE-së kanë deklaruar se këto përpjekje kanë marrë dy forma: përpjekje për të marrë nën kontroll llogaritë e zyrtarëve të hershëm në Signal dhe WhatsApp; dhe përdorimin e teknikave të “social engineering” që i referohen çështjeve si sanksionet, apo deklaratave zyrtare.
Në shkurt, agjencia gjermane e sigurisë paralajmëroi për një fushatë “phishing” në zhvillim, e lidhur me aktorë shtetërorë që kishin si objektiv politikanët, personelin ushtarak, diplomatët dhe gazetarët.
Mbi 190 aktorë kërcënues u konstatuan duke vënë në shënjestër ekosistemin e BE-së përgjatë 12 muajve të fundit, me 8 incidente të tjera të rënda të regjistruara në gjysmën e parë të 2026-s.
Edhe një gazetar i Euronews mori një mesazh të dyshimtë në tetor të 2025-s nga një profil që hiqej si “Signal Support”, që kërkonte një kod verifikimi dhe citonte “aktivitete të dyshimta në pajisjen tuaj” e që mund të ketë çuar në rrjedhjen e të dhënave.