Wednesday, 26 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaKLGJ rrit pagat e gjyqtarëve, do të shlyhen edhe diferencat e prapambetura

KLGJ rrit pagat e gjyqtarëve, do të shlyhen edhe diferencat e prapambetura

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të përcaktojë pagën referuese bazë për magjistratët, duke i hapur rrugë rritjes së pagave të gjyqtarëve dhe përllogaritjes së diferencave financiare të prapambetura.

Vendimi u miratua këtë të mërkurë nga KLGJ-ja dhe vjen në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e trupës gjyqësore.

Në mbledhjen e kësaj të mërkure, anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor vendosën rritjen e pagës referuese të çdo gjyqtari në vend me 65.600 lekë, ose mbi 40% krahasuar me pagën referuese që kishin më parë.

Sipas vendimit të KLGJ-së, duke filluar nga 1 gushti 2026, paga referuese e gjyqtarëve do të jetë 222.425 lekë, nga 156.800 lekë që ishte më herët. Mbi këtë shumë do të aplikohet edhe shtesa prej 14.000 lekësh për nivelin e kualifikimit.

Vendimi është marrë me 9 vota pro dhe asnjë kundër.

Po ashtu, KLGJ ka miratuar edhe propozimin për kompensimin e rritjes së munguar të pagave për periudhën nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.

Departamenti i Buxhetit dhe njësitë përgjegjëse financiare pranë gjykatave të të gjitha niveleve janë ngarkuar të përllogarisin efektin financiar të rillogaritjes së pagave për këtë periudhë.

KLGJ ka ngarkuar Ministrinë e Financave për të garantuar mbulimin e nevojshëm buxhetor për zbatimin e vendimit.

Për herë të parë KLGJ ndërhyn për pagat e magjistratëve

Kjo është hera e parë që Këshilli i Lartë Gjyqësor ndërhyn për të rritur pagat e magjistratëve, të cilat deri më tani kanë qenë të përcaktuara në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ndërhyrja e KLGJ-së vjen pasi Kuvendi nuk zbatoi në afat vendimin e Gjykatës Kushtetuese të shkurtit 2026, që rrëzoi ndryshimet ligjore të vitit 2023 për mënyrën e përcaktimit të pagës së magjistratëve.

Ndryshimet e vitit 2023 përcaktonin pagën e magjistratit në masën 0.36% të pagës së Presidentit të Republikës. Gjykata Kushtetuese e konsideroi këtë mekanizëm antikushtetues, duke argumentuar se kishte sjellë një “ulje të fshehtë” të pagave.

KLGJ shprehet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe se përcaktimi i ri i pagës referuese synon pikërisht të zbatojë arsyetimin e Kushtetueses.

Sipas KLGJ-së, vendimi sjell një rritje të ndjeshme të pagave të magjistratëve, si dhe kompensimin e diferencave të krijuara nga ajo që Gjykata Kushtetuese e cilësoi si “ulje të fshehtë”, e shkaktuar nga ndryshimi ligjor i vitit 2023.

Pikëpyetje për zbatimin financiar

Mbetet për t’u parë zbatimi i këtij vendimi të KLGJ-së në praktikë, pasi pagat e administratës publike dhe fondet përkatëse buxhetore përcaktohen përmes ligjit dhe akteve të Këshillit të Ministrave apo Kuvendit.

Sipas ekspertëve, Drejtoria e Thesarit duhet të miratojë çdo muaj listë-pagesat. Nëse listë-pagesa e re e gjyqtarëve, pas vendimit të KLGJ-së, rezulton më e lartë se fondi i pagave të miratuara me ligjin ekzistues, mund të krijohet një përplasje institucionale.

Sipas këtij interpretimi, Thesari nuk mund të ekzekutojë pagesa më të larta se fondet e parashikuara, pa një vendim të qeverisë, Kuvendit apo titullarit të institucionit.

Bardhi: KLGJ ka marrë kompetenca që i takojnë ligjvënësit

Pas vendimit të KLGJ-së, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi qeverinë dhe mazhorancën socialiste se nuk kanë zbatuar në afat vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Bardhi e cilësoi situatën si një “ngërç institucional” dhe ngriti pikëpyetje mbi kushtetutshmërinë e vendimit të KLGJ-së.

“Refuzimi i vazhdueshëm i Qeverisë dhe i mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese ka vënë seriozisht në rrezik funksionimin demokratik të shtetit dhe respektimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve”, tha Bardhi.

Sipas tij, që nga 1 gushti 2026 sistemi gjyqësor ka mbetur pa një bazë të qartë ligjore për trajtimin financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi dispozitat përkatëse janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me efekt nga 31 korriku.

Bardhi kritikoi gjithashtu vendimin e KLGJ-së për përcaktimin e pagës referuese, duke deklaruar se Këshilli ka marrë përsipër kompetenca që, sipas tij, i takojnë ligjvënësit.

“Sot, me një akt të paprecedentë, sistemi gjyqësor, përmes Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka përcaktuar pagën e vet, duke marrë përsipër kompetenca që i takojnë ligjvënësit. Ky akt ngre pikëpyetje serioze mbi kushtetutshmërinë e tij dhe mbi ekzistencën e një baze të ligjshme për një vendimmarrje të kësaj natyre”, u shpreh ai.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së kërkoi që Kuvendi të veprojë menjëherë për zgjidhjen e situatës, duke theksuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese dhe duhet të zbatohen.

Lini një koment