KUVAJT – Sekuestrohet sasia më e madhe e drogës në vend, me vlerë 490 milionë dollarë
KUVAJT SITI, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Autoritetet kuvajtiane kanë sekuestruar rreth 5 tonë pluhur pregabaline dhe afro 4,0 milionë kapsula të gatshme për shitje, në atë që Ministria e Brendshme e ka cilësuar si operacionin më të madh antidrogë në historinë e vendit.
Ministri i Brendshëm, Sheikh Fahad Yousef Al-Sabah tha sot se droga, e njohur gjerësisht me emrin tregtar Lyrica, kishte një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth 150 milionë dinarësh kuvajtianë ose afërsisht 490 milionë dollarë.
Operacioni, i zhvilluar të martën, zbuloi gjithashtu një fabrikë të pajisur plotësisht për prodhimin e pregabalinës, si dhe makineri për mbushjen, ndarjen dhe paketimin e kapsulave.
Pregabalina përdoret zakonisht si ilaç për trajtimin e dhimbjeve nervore, por mund të keqpërdoret për shkak të efekteve të saj në sistemin nervor.
Al-Sabah vlerësoi punën e oficerëve kundër narkotikëve dhe tha se operacioni tregoi përmasat e kërcënimit që paraqet trafiku i drogës në vend.
Ministri theksoi se lufta kundër drogës mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Brendshme, duke përfshirë ndjekjen e trafikantëve dhe shpërndarësve, forcimin e kontrolleve dhe goditjen e rrjeteve të furnizimit./ a.jor.