Thursday, 27 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaSPAK e akuzon për pastrim parash e korrupsion me tenderët e AKSHI-t, nesër mbahet në GJKKO seanca e masës së sigurisë nda

SPAK e akuzon për pastrim parash e korrupsion me tenderët e AKSHI-t, nesër mbahet në GJKKO seanca e masës së sigurisë nda

Masa e sigurisë për biznesmenin Ergys Agasi, i arrestuar mbrëmjen e së mërkurës në zonën e Plepave në Durrës, është parashikuar të mbahet nesër në GJKKO, në orën 09:30.

Agasi u arrestua pas një operacioni të SPAK-ut, pas muajsh qëndrimi në kërkim dhe dy javësh vëzhgim nga autoritetet. Ai dyshohet për disa vepra penale, mes tyre grup kriminal, pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera, konkurrencë të paligjshme dhe heqje të paligjshme të lirisë.

Bashkë me të u arrestua edhe ish-zyrtari i Policisë, Ulian Shpataraku. I shumëkërkuari i SPAK u arrestua 8 muaj pasi u shpall në kërkim, nën dyshimet se drejtonte një grup kriminal brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit ku tenderat miliona euro paracaktoheshin dhe kalonin në llogaritë e kompanive të biznesmenit Ermal Beqiri, i arrestuar në Francë.

Automjeti me të cilin ai udhëtonte në shoqërinë e Ulian Shpatarakut, ish-zyrtar policie, u pikas në qytetin e Elbasanit. Me koordinimin e prokurorëve të posaçëm, policia bllokoi akset kryesore dhe e ndoqi automjetin. Në momentin kur makina, që drejtohej nga Shpataraku, mbërriti tek Plepat në Durrës, një zonë e populluar, me shumë trafik, u rrethua nga Forcat e Posaçme operacionale.

Agasi dhe Shpatarku u vunë në pranga, ndërsa automjeti u kontrollua me imtësi. Të dy kishin me vetë një shumë prej 4 mijë eurosh. Shumë detaje të aksionit mbahen top sekret, por i kishte paraprirë bllokimi disa kohë më parë i automjetit Land Rover Defender në garazhin e një vile në Equos Resort. Ergys Agasi u shpall në kërkim nga SPAK për akuzat e konkurrencës së paligjshme, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje barazie në tendera, pastrim parash e grup kriminal, informon “BW”.

Sipas hetimeve të SPAK dhe dyshimeve të ngritura, Agasi në bashkëpunim me Ermal Beqirin kishin krijuar një grup kriminal brenda agjencisë kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe urdhëronte rrëmbimin e rivalëve në biznes me qëllim që ata të tërhiqeshin nga tenderat.

Për aferën është nën hetim Mirlinda Karçanaj, ish-drejtoreshë e AKSHIT dhe ish-zëvendësja e saj, disa biznesmenë si dhe zyrtarë të lartë policie.

Lini një koment