Thursday, 27 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaMblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së, Berisha: Ripërtëritja e partisë, kusht themelor për rikthimin në pushtet

Mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së, Berisha: Ripërtëritja e partisë, kusht themelor për rikthimin në pushtet

Partia Demokratike ka mbledhur Këshillin Kombëtar, ku në fokus të diskutimeve ishte procesi i ripërtëritjes së partisë. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se kjo është një nga detyrat më të rëndësishme të forcës politike që drejton, me synim rikthimin e besimit të qytetarëve dhe ardhjen në pushtet.

Berisha u shpreh se, nëse fjala “rithemelim” shërbeu për ta “mbrojtur PD-në nga tentativat e kryeministrit Edi Rama për ta vendosur atë nën kontroll”, tashmë motoja e re duhet të jetë “ripërtëritja”. Berisha tha se procesi i ripërtëritjes do të nisë brenda vetë partisë dhe më pas do të shtrihet në të gjitha nivelet e saj.

“Detyra jonë është diskutimi mbi ripërtëritjen e PD-së. Nëse fjala ‘rithemelim’ e shpëtoi PD-në nga tentativat e Ramës për ta vendosur atë nën kontroll, motoja ‘ripërtëritje’ do të bëjë të mundur ardhjen e PD-së në pushtet. Kaq jetike është ripërtëritja.

Duhet të japim motivimin për ta çuar përpara ripërtëritjen, procesin më jetik që kemi nisur në PD. Do ta fillojmë nga vetja dhe do ta shtrijmë në të gjitha nivelet”, tha Berisha.

Kryedemokrati e lidhi nevojën për ndryshim edhe me situatën në vend, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend që ndodhet në “sallë urgjence”.

Duke iu referuar kundërshtarit politik, Berisha tha se qeveria ndodhet në një situatë të vështirë, duke pretenduar se ka pësuar rënie të ndjeshme në sondazhe, sidomos pas protestave të zhvilluara në vend.

“Sot vendi është në një ‘sallë urgjence’ dhe ka nevojë jetike për ripërtëritje. Vendi ka nevojë për ripërtëritjen e ekonomisë, të sistemit shëndetësor dhe atij arsimor. Turizmi duhet të çlirohet nga kapitali kriminal.

Duhet të rikthejmë shpresën e humbur dhe të shmangim shpopullimin. Kjo realizohet vetëm nga një PD e ripërtërirë. Ripërtëritja jonë është kushti themelor për fitimin e besimit të shqiptarëve. Kundërshtari ynë ka 29 për qind rënie në sondazhe, pra është në vdekje politike, edhe në sytë e ndërkombëtarëve”, tha ai.

Lini një koment