Friday, 28 August 2026
54°F Detroit
BallinaArteGonxhja: Shteti do të ndërhyjë për shpëtimin e banesave “Monument kulture”, nis nga Gjirokastra

Gonxhja: Shteti do të ndërhyjë për shpëtimin e banesave “Monument kulture”, nis nga Gjirokastra

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja bëri sot të ditur se shteti do të ndërhyjë për shpëtimin, restaurimin dhe mbrojtjen e banesave që kanë statusin “Monument kulture” që rrezikojnë të degradojnë apo të humbasin për shkak të neglizhencës, fragmentimit të pronësisë, braktisjes nga pamundësia për t’i dalë për zot apo mosveprimit të qëllimshëm.

Sipas Gonxhes, shteti do të marrë përsipër të gjitha punimet, duke ndihmuar ndjeshëm qytetarët, por edhe duke ngarkuar pronarin me pjesën e arsyeshme të kostos së detyrimit përkatës.

Ministri theksoi se ndërhyrja do të nisë nga Gjirokastra, qytet që i përket Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Sipas tij, nga rreth 390 banesa “Monument kulture”, rreth 90 prej tyre janë aktualisht në rrezik.

“Nuk ka më: ra, se u la në mëshirë të fatit!”, tha Gonxhja.

Gonxhja bëri me dije se puna teknike dhe administrative ka nisur, ndërsa kantieret e para do të hapen në fillim të vitit të ardhshëm, ku projektet do të jenë të hartuara me manualet zyrtare të restaurimit dhe me aprovim nga KKTKM.

“DRTK-të rajonale dhe IKTK qendrore do të ndjekin e mbikëqyrin procesin, praktikat dhe komunikimin me çdo të interesuar”, tha ai.

Sipas ministrit nisma e shumëpritur vjen me mbështetje vjetore buxhetore dhe zbatohet nga MTKS, në kuadrin e rëndësisë strategjike, identitare, vlerës universale e kolektive, potencialit promovues turistik e ekonomik që banesat monumente kulture mbartin e evokojnë, si pasuri arkitektonike dhe etnografike e si dëshmi të gjalla të trashëgimisë dhe traditës.

Lini një koment