“Të zbatohen rregullat pa asnjë tolerim”- Ministrja Ismaili reagon për ndarjen nga jeta të Ana Dyrmishit: Tragjedia duhe
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka reaguar sot pas ndarjes nga jeta të Ana Dyrmishit, 25-vjeçarja e cila humbi jetën pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar duke e dërguar për kurim në Turqi.
Në reagimin e saj në rrjetet sociale, ministrja shprehu dhimbjen e thellë për këtë humbje tragjike, duke theksuar se ngjarja duhet të shërbejë si një thirrje për rritjen e përgjegjshmërisë dhe respektimin rigoroz të standardeve të sigurisë.
“Ana sot ndërroi jetë, pavarësisht të gjitha përpjekjeve, ndihmës së specializuar dhe angazhimit maksimal për ta shpëtuar. Më dhemb që një ngjarje e tillë, sado aksidentale në origjinën e saj, përfundoi me humbjen e një jete. Por kjo tragjedi duhet të na bëjë edhe më të përgjegjshëm”, shkruan Ismaili.
Ajo nënvizoi se ngjarja nxori në pah problematika që duhej të ishin parandaluar përmes kontrolleve dhe respektimit të rregullave.
“Siguria në çdo strukturë akomoduese nuk mund të jetë thjesht një detyrim formal. Rregullat janë aty për të mbrojtur jetë dhe duhet të zbatohen pa asnjë tolerim, në mënyrë që një aksident të mos kthehet më kurrë në tragjedi”, theksoi ministrja.
Në fund të reagimit, Ismaili shprehu ngushëllimet më të ndjera për familjen dhe të afërmit e Anës:
“Ana, prehu në paqe! Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve të saj.”