Friday, 28 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaFlakët ‘përpijnë’ dhe pyjet e Librazhdit, situatë kritike! Zjarri përhapet nga era dhe u afrohet banesave të fshatit X

Flakët ‘përpijnë’ dhe pyjet e Librazhdit, situatë kritike! Zjarri përhapet nga era dhe u afrohet banesave të fshatit X

Zjarret kanë shkaktuar situatë kritike edhe në zonën e Librazhdit ditën e sotme (28 gusht).

Një situatë alarmante është krijuar pasdite në zonën midis fshatrave Xhyrë dhe Vehçan, në Njësinë Administrative Hotolisht, Bashkia Librazhd, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një masiv pyjor me akacie dhe shkurre.

Zjarri, i cili ka nisur që prej mesditës, është përhapur me shpejtësi në disa drejtime, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme. Terreni dhe bimësia e thatë kanë favorizuar përhapjen e flakëve, ndërsa situata është bërë veçanërisht shqetësuese pas orës 17:00, kur zjarri është afruar pranë banesave në zonën e ish-stacionit hekurudhor të Xhyrës dhe pranë rrugës kombëtare Librazhd-Përrenjas.

Përballë përmasave të vatrës dhe rrezikut për zonat e banuara, në terren janë mobilizuar dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe forca të shërbimeve të MZSH-së nga Librazhdi, Përrenjasi, Elbasani, Gramshi dhe Cërriku.

Forcat zjarrfikëse po punojnë për të frenuar avancimin e flakëve dhe për të mbrojtur banesat dhe objektet që ndodhen pranë zonës së përfshirë nga zjarri.

Situata mbetet dinamike dhe nën monitorim, ndërsa përhapja e flakëve në masivin pyjor e vështirëson ndërhyrjen e ekipeve në terren.

Autoritetet vijojnë të jenë të angazhuara në operacionin për izolimin e vatrave dhe shmangien e çdo rreziku për banorët e zonës.

Lini një koment