Veliaj tërheq delegimin e kompetencave për Anuela Ristanin: “Nuk zbatoi urdhrat, u kthye në pengesë për ushtrimin e mandatit”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka vendosur nga qelia të tërheqë delegimin e përkohshëm të kompetencave që i kishte dhënë Anuela Ristanit për drejtimin e institucionit.
Vendimi mbështetet në dispozitat e ligjit për vetëqeverisjen vendore dhe Kodit të Procedurave Administrative, ndërsa në arsyetimin e tij Veliaj e lidh tërheqjen e delegimit me zhvillimet e fundit kushtetuese dhe me mënyrën se si, sipas tij, janë ushtruar kompetencat e deleguara.
Sipas vendimit, delegimi i kompetencave ishte konceptuar fillimisht si një masë e përkohshme, me qëllim garantimin e vijimësisë së administratës dhe ofrimit të shërbimeve publike në kushtet e krijuara në atë periudhë.
Por, sipas Veliajt, rrethanat institucionale kanë ndryshuar pas vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me vijimësinë e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës.
“Delegimi u kthye në pengesë”
Në arsyetimin e vendimit thuhet se ushtrimi i kompetencave të deleguara duhet të vijojë në koordinim me autoritetin e kryetarit të zgjedhur dhe se delegimi nuk mund të shndërrohet në një burim autonom kompetence.
Veliaj pretendon se gjatë periudhës së fundit ka pasur një shkëputje progresive të ushtrimit të kompetencave nga autoriteti i kryetarit të bashkisë. Në mënyrë konkrete, ai përmend mungesën e informimit dhe koordinimit institucional, moszbatimin e vendimeve gjyqësore, si dhe moszbatimin apo refuzimin e urdhrave të drejtpërdrejtë.
Sipas tij, kjo situatë ka cenuar zinxhirin normal të përgjegjësisë dhe drejtimit institucional të Bashkisë së Tiranës.
Në vendim argumentohet se delegimi, i cili fillimisht synonte të garantonte funksionimin normal të administratës, tashmë është kthyer në një pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të kryetarit të zgjedhur.
Vendimi pas zhvillimeve në Gjykatën Kushtetuese
Një pjesë e rëndësishme e argumentimit lidhet me vendimmarrjen e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Veliaj vlerëson se kjo përbën një rrethanë të re dhe përcaktuese për marrëdhëniet institucionale brenda bashkisë.
Sipas arsyetimit të tij, mandati i kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës ka vijuar juridikisht dhe është njohur në dy vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese. Vendimmarrja e fundit, sipas Veliajt, ka eliminuar paqartësitë mbi vijimësinë e mandatit dhe autoritetin që buron prej tij.
Në këtë kuadër, ai argumenton se nuk ka më arsye për vazhdimin e një delegimi që ishte krijuar për një situatë të përkohshme.
Çfarë kërkon të garantojë vendimi?
Në përfundim të aktit, Veliaj thotë se tërheqja e delegimit synon të rikthejë një zinxhir të qartë përgjegjësie dhe drejtimi institucional në Bashkinë e Tiranës.
Mes objektivave të përmendura janë garantimi i ligjshmërisë, vijimësisë dhe stabilitetit të administratës, funksionimi normal i institucionit, si dhe ofrimi pa ndërprerje i shërbimeve publike për qytetarët.
Tërheqja e delegimit për Anuela Ristanin hap tashmë një fazë të re në drejtimin institucional të Bashkisë së Tiranës, në një kohë kur përplasja mbi ushtrimin e kompetencave dhe statusin e mandatit të kryebashkiakut vijon të jetë në qendër të debatit politik dhe juridik.
