Shqipëria bëhet me autoburgje të blinduar, do të përdoren për transferimin e personave me rrezikshmëri të lartë!
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka njoftuar fuqizimin e sistemit penitenciar me automjete të blinduara dhe autoburgje, të cilat do të përdoren për transportin dhe shoqërimin e të burgosurve jashtë ambienteve të IEVP-ve.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mjetet e reja janë të destinuara veçanërisht për transportin e personave me rrezikshmëri të lartë, duke synuar rritjen e sigurisë gjatë çdo lëvizjeje dhe shoqërimi.
Kjo masë synon të ofrojë më shumë mbrojtje jo vetëm për personat e privuar nga liria, por edhe për punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që angazhohen në transportin dhe shoqërimin e tyre.
“Siguria nis nga mënyra se si kryhet çdo lëvizje”, thekson Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, duke e cilësuar këtë pajisje të re si një standard të ri për sistemin penitenciar.
Vendosja e autoburgjeve të blinduara, sipas gazetares Anila Hoxha, ndodh në kohën kur numri i dëshmitarëve të drejtësisë dhe të penduarve ka shkuar në 15 persona dhe kur të dyshuar si krerë të krimit në vend janë në burgje të sigurisë së lartë. Vazhdimisht, ata transferohen nga këto burgje drejt Tiranës për t’u përballur me akuzat e SPAK.
Përdorimi i automjeteve të blinduara synon kështu forcimin e sigurisë gjatë transferimeve, në një kohë kur institucionet penitenciare përballen me nevojën për të garantuar shoqërim të sigurt për persona të cilësuar me rrezikshmëri të lartë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e paraqet këtë ndryshim si një hap drejt një sistemi penitenciar më modern, me më shumë siguri për të privuarit nga liria dhe më shumë mbrojtje për punonjësit.