RAI shkarkon gazetarin që u përplas me Ramën për investigimet mbi Shqipërinë
Një tërmet ka përfshirë televizionin publik italian RAI pas vendimit për të larguar gazetarin Sigfrido Ranucci nga drejtimi i emisionit investigativ “Report”.
Duke nisur nga sezoni i ardhshëm, drejtimi i programit të njohur të Rai3 do t’u besohet gazetarëve Giulia Presutti dhe Daniele Piervincenzi, njoftoi RAI këtë të premte. Vendimi ka shkaktuar reagimin e fortë të redaksisë së “Report”, ndërsa gazetarët historikë të emisionit kanë paralajmëruar se mund të largohen në bllok nga programi.
Sipas RAI-t, Presutti dhe Piervincenzi janë përzgjedhur për të hapur një fazë të re të programit dhe për të forcuar gazetarinë investigative në televizionin publik. Të dy kanë fituar konkursin e RAI-t për gazetarë profesionistë.
Giulia Presutti është prej vitesh pjesë e “Report” dhe ka një eksperiencë të gjatë në gazetarinë investigative. Daniele Piervincenzi ka punuar si reporter dhe prezantues në programe të RAI-t, mes tyre “Nemo – Nessuno escluso” dhe “Popolo Sovrano”. Në vitin 2017 ai u bë i njohur edhe për sulmin që pësoi gjatë realizimit të një investigimi në Ostia.
Vetë Ranucci e ka cilësuar vendimin një “zgjedhje mediokre”, duke deklaruar se ai rrezikon t’i japë fund “Report” në formën që publiku e ka njohur deri tani.
Sigfrido Ranucci dhe emisioni investigativ “Report” janë emra të njohur edhe për publikun shqiptar, veçanërisht për shkak të investigimeve që programi i Rai3 i ka kushtuar Shqipërisë dhe qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Përplasja më e fortë u regjistrua në vitin 2024, kur “Report” transmetoi investigimin “Shqipëria”, të realizuar nga gazetari Giorgio Mottola. Emisioni trajtonte marrëveshjen mes qeverive të Giorgia Melonit dhe Edi Ramës për ngritjen në Shqipëri të qendrave për përpunimin e kërkesave të emigrantëve të shpëtuar në det nga autoritetet italiane. Investigimi ngrinte pikëpyetje mbi marrëveshjen, kostot e saj dhe kontekstin politik e institucional shqiptar.
Një pjesë e rëndësishme e emisionit iu kushtua edhe figurës së Ramës, marrëdhënieve të tij me Italinë, si dhe çështjeve që “Report” i lidhte me krimin e organizuar dhe ndikimin e tij në Shqipëri. Pikërisht kjo pjesë shkaktoi reagimin e ashpër të kryeministrit shqiptar, i cili akuzoi programin se kishte paraqitur një tablo të deformuar të Shqipërisë dhe se kishte hedhur akuza pa prova.
Përplasja mori përmasa edhe më të mëdha pasi Rama telefonoi drejtorin e Rai3, Paolo Corsini, për t’i shprehur pakënaqësinë lidhur me emisionin. Ranucci reagoi publikisht, duke e konsideruar të pazakontë faktin që kryeministri i një vendi të huaj kontaktonte drejtuesit e televizionit publik italian pas transmetimit të një investigimi gazetaresk.
“Report” iu rikthye më pas çështjes dhe transmetoi edhe reagimin e Ramës, ndërsa debati u zhvendos nga përmbajtja e investigimit te marrëdhënia mes politikës dhe pavarësisë editoriale të RAI-t.
Përplasja u rihap në vitin 2025, kur “Report” transmetoi një tjetër investigim mbi Shqipërinë, këtë herë duke u ndalur te turizmi, investimet, ndërtimet në bregdet dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Edhe ky material solli reagime të forta nga Tirana dhe akuza ndaj emisionit për mënyrën se si paraqiste realitetin shqiptar.