Problemet teknike në trafikun ajror në vend, reagon TIA
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka reaguar për situatën e krijuar pas disa problemeve teknike në trafikun ajror në vend, duke sqaruar se ndërprerja zgjati vetëm disa minuta dhe u bë për arsye sigurie.
Përmes një njoftimi zyrtar, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës bëri me dije se, pas evidentimit të problemit teknik, fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare u pezulluan përkohësisht.
Ndërprerja shkaktoi vonesa në fluturimet nga dhe drejt Rinasit, ndërsa aeroporti u mbush me pasagjerë që prisnin për nisjen ose mbërritjen e avionëve.
TIA njofton se po punon për menaxhimin e situatës dhe për pasagjerët e prekur nga vonesat dhe ndryshimet në oraret e fluturimeve, ndërsa operacionet po rikthehen gradualisht në normalitet.
“Pezullimi u krye për disa minuta si masë sigurie”, thuhet në njoftimin e aeroportit.
TIA u kërkon pasagjerëve të kontrollojnë vazhdimisht njoftimet e aeroportit dhe komunikimet e kompanive ajrore përkatëse, pasi oraret mund të pësojnë ndryshime.
Ndërkohë, vijon puna për normalizimin e plotë të trafikut ajror dhe të operacioneve në aeroport.
Njoftimi i plotë i TIAPër shkak të një problemi teknik të përkohshëm në sistemin e monitorimit të trafikut ajror nga Albcontrol, fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare u pezulluan për pak minuta si masë sigurie.
Problematika u adresua menjëherë dhe aktualisht po bëhen të gjitha përpjekjet për rikthimin sa më të shpejtë të operacioneve në normalitet.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha autoritetet përkatëse dhe kompanitë ajrore, ndërsa po menaxhon pasagjerët e prekur nga vonesat dhe ndryshimet në oraret e fluturimeve.
TIA ka angazhuar numrin maksimal të stafit në dispozicion për të mbështetur operacionet në terminal dhe për të garantuar menaxhimin sa më të shpejtë të situatës. Ekipet tona janë në gatishmëri të plotë dhe po bëjnë maksimumin për të përshpejtuar rikthimin e operacioneve në normalitet.
Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë rregullisht njoftimet dhe komunikimet e kompanive të tyre ajrore për informacionin më të fundit mbi statusin e fluturimit.
Siguria e pasagjerëve mbetet prioriteti kryesor.