Flakët djegin hektarë me pyje dhe bimësi në disa zona të Librazhdit, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme!
Zjarret vijojnë të përpijnë sipërfaqe me pyje e bimësi në zonën e Librazhdit.
Një situatë problematike u krijua në Xhyrë dhe sidomos në fshatin Vehçan, ku një zjarr i fuqishëm përfshiu sipërfaqe me akacie, shkurre dhe bimësi të tjera që u afrua rrezikshëm pranë banesave.
Në kohë rekord u mobilizuan forca të shumta të shërbimit zjarrfikës, pyjor emergjencave, policisë dhe komuniteti për shuarjen e flakëve.
Në terren u zhvillua një operacion i gjerë për përballimin e situatës, me ndërhyrje si nga toka, ashtu edhe nga ajri.
Në aksion u angazhuan forcat zjarrfikëse të Librazhdit, Elbasanit, Cërrikut, Gramshit dhe Prrenjasit, ndërsa në operacion morën pjesë edhe Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Emergjencat Civile, helikopteri dhe banorët e zonës.
Pavarësisht ndërhyrjes intensive, operacioni nuk është konsideruar i përfunduar menjëherë.
Forcat në terren kanë vijuar monitorimin e zonës për të parandaluar riaktivizimin e vatrave dhe për të eliminuar çdo rrezik të mundshëm.
Shkaku i rënies së zjarrit dhe nëse pas tij qëndron një zjarrvënie e qëllimshme pritet të sqarohet nga hetimet e autoriteteve.