Saturday, 29 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaLamallari mbledh prefektët e 12 qarqeve, përcjell porositë e Ramës: Komunikim më i shpejtë dhe zgjidhje konkrete për qyte

Lamallari mbledh prefektët e 12 qarqeve, përcjell porositë e Ramës: Komunikim më i shpejtë dhe zgjidhje konkrete për qyte

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim me prefektët e 12 qarqeve të vendit, ku në fokus ishte forcimi i komunikimit me qytetarët dhe rritja e përgjegjshmërisë së administratës publike në territor.

Përmes prefektëve, të cilët përfaqësojnë një hallkë të rëndësishme të shtetit në territor, ministri përcolli porositë e Kryeministrit për një komunikim sa më profesional, korrekt, të besueshëm dhe të shpejtë me qytetarët.

Lamallari theksoi se çdo ditë shumë qytetarë i drejtohen institucionit të Prefektit për shërbime të ndryshme, për informacion apo për të kërkuar zgjidhje për problematika që prekin jetën e tyre. Për këtë arsye, çdo kërkesë dhe shqetësim duhet të trajtohet me vëmendjen dhe seriozitetin e duhur.

“Çdo shqetësim apo kërkesë për informacion i qytetarëve meriton vëmendje dhe ne kemi detyrimin të përgjigjemi dhe japim zgjidhje”, shprehet ministri Lamallari, duke nënvizuar se përgjegjësia e institucioneve nuk përfundon me marrjen e një kërkese, por duhet të shkojë deri te adresimi konkret i saj.

Sipas ministrit, besimi te institucionet ndërtohet përmes pranisë, komunikimit dhe zgjidhjeve konkrete, duke e bërë qytetarin të ndihet i dëgjuar dhe i respektuar.

“Besimi ndërtohet aty ku qytetari ndihet i dëgjuar dhe ku institucionet veprojnë me zgjidhje konkrete. Ky është standardi që duhet të udhëheqë punën e çdo shërbëtori publik në çdo cep të vendit”, thekson Lamallari.

Në përfundim të mesazhit të tij, ministri e lidhi këtë qasje me ‘BESA’ dhe ‘PraniaBesnike’, si një standard për një administratë më të përgjegjshme, më të afërt dhe më të besueshme për qytetarët.

Lini një koment