Sunday, 30 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga Shqiperia26 vatra zjarri në 24 orë në Shqipëri, katër mbeten aktive, Dajti dhe Dibra zonat më problematike

26 vatra zjarri në 24 orë në Shqipëri, katër mbeten aktive, Dajti dhe Dibra zonat më problematike

26 vatra zjarri janë regjistruar në territorin e Shqipërisë gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa situata mbetet problematike në disa zona, veçanërisht në Malin e Dajtit dhe në qarkun Dibër.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, katër vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa dy të tjera janë nën monitorim nga strukturat e emergjencave.

Për menaxhimin e situatës janë angazhuar gjithsej 315 forca operacionale dhe 25 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë gjithashtu katër helikopterë dhe 75 efektivë të Forcave të Armatosura.

Situata në Malin e Dajtit

Zona më problematike raportohet në Malin e Dajtit, në drejtim të Qafë-Priskës, ku janë evidentuar riaktivizime dhe zgjerim i flakëve.

Për izolimin e vatrave po punojnë 15 zjarrfikës, nëntë forca të Administratës së Zonave të Mbrojtura (AdZM) dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura.

Tre vatra aktive në Dibër

Situata mbetet aktive edhe në qarkun Dibër, ku zjarret vijojnë në Qafë të Helmës, Vajkal dhe Sllatinë.

Në Vajkal janë angazhuar 38 forca të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe të bashkisë, të mbështetura nga 30 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në Sllatinë operojnë 91 forca. Sipas autoriteteve, zjarri në këtë zonë aktualisht nuk paraqet rrezik për banesat.

Vatrat në Elbasan nën monitorim

Në qarkun Elbasan, vatrat e evidentuara në Malin e Dardhës dhe Malin e Qukësit janë nën mbikëqyrje të strukturave përkatëse.

Autoritetet bëjnë me dije se situata në këto dy zona është nën kontroll dhe se zjarret nuk përbëjnë rrezik për zonat e banuara.

Lini një koment