Monday, 31 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaZbardhen 4 vjedhje, arrestohen dy persona! Sekuestrohet automjeti dhe mjetet e përdorura

Zbardhen 4 vjedhje, arrestohen dy persona! Sekuestrohet automjeti dhe mjetet e përdorura

Dy persona janë arrestuar në Peqin, pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer të paktën katër vjedhje në Peqin dhe Elbasan. Tre prej rasteve dyshohet se janë kryer gjatë javës së fundit.

Operacioni i koduar “Gjurmët” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, pas një hetimi për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Në pranga janë vënë G. Y., 34 vjeç, dhe F. J., 37 vjeç, të dy banues në Elbasan.

Sipas policisë, nga veprimet hetimore dyshohet se dy të arrestuarit kanë vepruar së bashku, duke kryer vjedhje në banesa, biznese dhe automjete në Peqin dhe Elbasan. Nga këto vjedhje dyshohet se kanë marrë shuma parash dhe sende me vlerë.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një automjet të marrë me qira, që dyshohet se përdorej për kryerjen e vjedhjeve. Po ashtu, u gjetën dhe sekuestruan mjete të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për hapjen e dyerve, bravave dhe qepenave, si dhe veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të jenë kryer prej tyre.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Lini një koment