Haxhiu: ‘Boshti i të keqes’ nuk largohet pa një ide konkrete, protesta duhet të prodhojë njeriun politik
Analisti Baton Haxhiu ka komentuar rolin dhe kufizimet e protestës qytetare ndaj qeverisë. Ai shprehet kundër idesë se suksesi i protestës qëndron te mungesa e një lideri.
Haxhiu gjithashtu bën dallimin mes humbjes së legjitimitetit moral dhe atij kushtetues . Sipas tij, protesta ka arritur vetëm të kontestojë legjitimitetin moral të pushtetit , por legjitimiteti kushtetues ndryshohet vetëm përmes zgjedhjeve, bllokimit total ose revolucionit.
“Politikanët ndonjëherë për humbjen e autoritetit moral e dinë që te një pjesë e madhe e popullsisë nuk e kanë, për arsye se bëjnë vendime, bëjnë gabime, dhe ata e kanë si problem të vetin gjatë ballafaqimit të qeverisë. Kurse tek humbja e legjitimitetit kushtetues janë në disa pika: ato janë me zgjedhje, me kontestim të legjitimitetit deri në mocion, kontestim të legjitimitetit duke bllokuar gjithçka, dhe revolucion. Nuk ka rrugë të tjera.
Te këto pika unë mendoj se kemi arritur vetëm te njëra prej tyre: te kontestimi i legjitimitetit moral ku faktor tashmë është protesta e cila ka marrë protesta pjesën e vetë të legjitimitetit moral”, tha analisti.
Sipas Haxhiut, nuk bëhet largimi thjesht duke protestuar pa një ide konkrete. Sipas Haxhiut, protesta duhet të prodhojë figurën dhe idenë e re politike që do të udhëheqë shoqërinë
“Shqipërisë i duhet diçka e re. Po cila është ajo e re e cila për momentin nuk ka prodhuar një ide politike? Këtë mund ta prodhojë protesta e cila duhej ta kishte bërë me kohë këtë. Gjithkund në botë e bën protesta një kauzë dhe një ide politike e cila realisht e nxjerr një drejtim politik.
Fakti që njerëzit po ikin që të kenë lidership me gjithë këtë protestë, me gjithë këtë jetëgjatësi të protestës, tregon se ende nuk e dinë rolin e vet se cila është e ardhmja kundër pushtetit të vjetër.
Protesta duhet të prodhojë njeriun politik. Boshti i së keqes nuk mund të largohet vetëm duke protestuar pa një ide. Dhe prandaj unë po thosha: automatikisht shumica nuk e bën legjitimitetin dhe legalitetin brenda shoqërisë shqiptare, dhe as nuk mund ta kontestojë në një mënyrë apo tjetër legjitimitetin kushtetues”, tha Baton Haxhiu.