27 vatra zjarri në 24 orë, 4 aktive në vend. Ja zonat problematike
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar 27 vatra zjarri. Sipas të dhënave zyrtare, 4 vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa 4 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Për përballimin e situatës janë angazhuar në terren 432 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 70 forca ushtarake dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 90 forcave ushtarake në bashkitë Bulqizë, Mat dhe Tiranë.
Në Dajt, vijojnë vatrat aktive në drejtim të Qafë-Priskës. Gjatë ditës së djeshme në zonë u angazhuan 15 zjarrfikës, 9 forca të ADZM-së, 20 ushtarakë dhe një helikopter. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Vajkal, të Bulqizës, zjarri vijon të jetë aktiv në një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja, në terren shkëmbor. Në operacion janë angazhuar 11 forca të MZSH-së, 5 forca pyjore, 7 vullnetarë dhe 30 ushtarakë.
Në Lundër Mat, vijon zjarri në një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Për shuarjen dhe izolimin e flakëve janë angazhuar 40 forca të MZSH-së dhe strukturave pyjore, 20 ushtarakë dhe një helikopter.
Në Shkodër raportohet një vatër aktive në terren të thepisur në Urën e Shtrenjtë. Forcat në terren po punojnë për izolimin e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij.
Nën mbikëqyrje vijojnë vatrat në Qafën e Helmës në Bulqizë, Qafën e Lugut në Korçë, malin e Qukësit në Prrenjas dhe Zhejë në Kurbin.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në të gjitha këto zona nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.