Monday, 30 March 2026
54°F Detroit
BallinaKomunitetiPromovohet romani “Kthimi” i Fran Camajt në Michigan

Promovohet romani “Kthimi” i Fran Camajt në Michigan

Më 29 mars, në sallën e Kishës Katolike Shqiptare “Shën Pali” në Rochester Hills, Michigan, u zhvillua promovimi i romanit “Kthimi” të autorit Fran Camaj. Aktiviteti u organizua nga Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” dhe mblodhi përfaqësues të komunitetit shqiptar, dashamirës të letërsisë dhe figura të jetës kulturore në diasporë.

Veprimtaria u moderua nga Brikena Hoxhalli, ndërsa fjalën përshëndetëse e mbajti kryetari i shoqatës organizatore, Toni Gojçaj, i cili vlerësoi rëndësinë e botimit dhe kontributin e autorit në kulturën shqiptare.

Fjalën e parë e mbajti Dr. Diana Gellci, e cila u përqendrua në dimensionin moral dhe filozofik të romanit, duke e cilësuar atë si një dëshmi të konceptit të “shenjtërisë së jetës” në traditën e malësorëve shqiptarë dhe si një dokument kulturor që shkon përtej rrëfimit letrar.

Në vijim, Anton Lajçaj trajtoi lidhjet historike dhe shpirtërore të malësorëve me Kosovën dhe shqiptarët, duke e vendosur veprën në një kontekst më të gjerë kombëtar.

Zef Pergega u ndal te gjuha dhe stili i autorit, duke theksuar përdorimin e një shqipeje të pastër dhe të qartë, si dhe ndërtimin e një narrative të qëndrueshme.

Ai analizoi edhe personazhet e romanit, duke evidentuar raportin mes figurave pozitive dhe negative dhe rolin e tyre në strukturën e veprës.

Ndërsa Lulash Palushaj trajtoi krijimtarinë letrare të malësorëve në mërgatë, duke theksuar sfidat dhe kushtet në të cilat zhvillohet ajo.

Romani “Kthimi”, vepra e tetë e Fran Camajt, u vlerësua si një krijim me peshë historike dhe shoqërore, që përmes një narrative të ndërtuar mbi përvojën e shqiptarëve në periudha të ndryshme, sjell në vëmendje çështje të identitetit, kujtesës dhe vlerave kombëtare.

Në takim e mori fjalën edhe autori Fran Camaj i cili falenderoi të pranishmit dhe tregoi hollësira nga procesi i vet krijues duke u përqëndruar tek situatat që çuan në realizinin e romanit , i cili mbështetet mbi ngjarje të vërteta.

Aktiviteti u mbyll me diskutime nga të pranishmit, duke e konfirmuar interesin e komunitetit shqiptar në diasporë për veprat letrare dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Lini një koment