Charles III te Kongresi: Theks i fortë mbi miqësinë britaniko-amerikane dhe sfidat e sigurisë
Mbretërori Charles III mbajti një fjalim në Kongresin amerikan, ku vlerësoi lidhjet historike dhe vlerat e përbashkëta midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa theksoi nevojën për bashkëpunim të ngushtë për t’u përballur me sfidat e sigurisë dhe krizat globale.
Ai kujtoi se marrëdhëniet midis dy vendeve shtrihen për më shumë se katër shekuj, përmendi rrënjët e përbashkëta në dokumente si Magna Carta dhe ndikimin e tyre në të drejtat dhe ligjet që kanë formuar bashkëpunimin transatlantik; raporton Associated Press.
Gjatë fjalimit, mbreti foli për klimën e pasigurisë globale, nga konfliktet në Evropë e deri në Lindjen e Mesme, dhe riafirmoi angazhimin për të mbrojtur demokracinë dhe qytetarët. Ai përmendi vendimin e Britanisë për një rritje të qëndrueshme të shpenzimeve të mbrojtjes, më të madhen që nga Lufta e Ftohtë, si pjesë të kësaj përgatitjeje për sfidat e së ardhmes.
Charles i kushtoi vëmendje edhe mbështetjes për Ukrainën, bashkëpunimit ushtarak si ndërtimi i përbashkët i avionëve F-35 dhe rolit të NATO-s në sigurinë kolektive. Ai nënvizoi po ashtu rëndësinë e përkujtimit të 11 shtatorit dhe solidaritetin me viktimat dhe familjet e tyre gjatë vizitës së tij në New York.
Fjalimi përfundi me apel për ripërtëritje të partneritetit transatlantik dhe me mirënjohje për miqësinë dhe mikpritjen e popullit amerikan, duke vënë në dukje se kjo aleancë mbetet thelbësore për paqen dhe sigurinë; sipas Associated Press.