E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Eurodeputeti: Ja pse mbështesim protestën, të dëgjohen zërat e qytetarëve

Eurodeputeti: Ja pse mbështesim protestën, të dëgjohen zërat e qytetarëve

I ftuar në një lidhje live në emisionin “Review” me Greta Topjanën, eurodeputeti Sandro Gozi foli ekskluzivisht në lidhje me kërkesën për transparencë mbi arsyet e bllokimit të llogarive në Instagram të disa protestuesve.

I pyetur nga gazetari Arbër Hitaj në lidhje me mbështetjen e eurodeputetëve për protestën dhe nëse kjo mbështetje ka të bëjë me një kundërshti ndaj Trumpit, Gozi tha se nga perspektiva e Parlamentit Evropian, çdo zhvillim në Shqipëri është i rëndësishëm, pasi vendi po afrohet me Bashkimin Evropian.

“Nga perspektiva e Parlamentit Evropian, çdo gjë që ndodh këtu është e rëndësishme, se Shqipëria po afrohet me BE-në dhe shpresojmë të bëhet shtet i BE-së. Nga kjo perspektivë, çdo lëvizje qytetare për më shumë demokraci është shumë e rëndësishme. Nga perspektiva jonë, është e çuditshme ajo që po ndodh mes qeverisë dhe projektit të investimit, por ne nuk duam të ndërhyjmë në këtë debat të brendshëm. Kjo u takon qytetarëve shqiptarë. Ne i qëndrojmë kërkesës për më shumë transparencë, legalitet dhe demokraci. Në këndvështrimin tim personal, mendoj se u takon shqiptarëve të vendosin nëse e duan këtë projekt. Gjithsesi, përsëris se nuk na takon neve të themi se çfarë duhet të bëjë Shqipëria. E rëndësishme është të dëgjohen zërat e qytetarëve. Ne qëndrojmë pranë lëvizjes civile, pranë lëvizjes së Flamingove dhe transparencës dhe demokracisë. Mbështesim pjesëmarrjen e lirë të qytetarëve në protestë, që zgjat prej tre muajsh, dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë lëvizje që kërkon më shumë demokraci dhe transparencë”, tha ai.

Lini një koment